Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në Samitin e 11-të të Nismës së Tre Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, platformë e krijuar nga 13 vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Shqipëria, prej vitit të kaluar, është anëtare e asociuar e kësaj nisme që synon forcimin e ndërlidhshmërisë, inovacionit, infrastrukturës dhe konkurrencës industriale.
Të lidhura
None found
Në fjalën e tij, Presidenti bëri apel për rezultate konkrete që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik rajonal dhe integrimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por një front strategjik i Evropës.
Begaj e cilësoi këtë iniciativë si një histori suksesi që është shndërruar në një platformë konkrete për zhvillim, duke prodhuar lidhje reale, investime reale dhe ndikim real.
Ai nënvizoi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar, ku sfidat gjeopolitike, pasiguria ekonomike dhe transformimet në energji dhe teknologji kërkojnë jo vetëm koordinim, por edhe lidership dhe vizion.
Në lidhje me procesin e integrimit, Presidenti theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim për një Evropë më të sigurt dhe më konkurruese.
Duke folur për Shqipërinë, Begaj vuri në dukje rëndësinë e ndërlidhshmërisë dhe projekteve infrastrukturore, duke i cilësuar ato si instrumente transformimi që krijojnë stabilitet dhe tërheqin investime.
Ai rikonfirmoi objektivin strategjik të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, duke e cilësuar atë si busullën kryesore të zhvillimit.
Në fund, Presidenti theksoi se rëndësi ka realizimi konkret i angazhimeve dhe jo vetëm deklaratat.
Presidenti i Republikës përfaqësoi për herë të dytë Shqipërinë me statusin e shtetit partner të asociuar në këtë samit.
Në deklaratën e miratuar në Dubrovnik u theksua se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe begatinë në Evropë, duke kërkuar një proces pranimi të bazuar në meritë, të besueshëm dhe të parashikueshëm për vendet kandidate, me referencë të veçantë për Shqipërinë.
