Rama takohet me Mark Rutte në Bruksel, konfirmohet sërish Samiti i ardhshëm i NATO-s në Tiranë

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, u rikonfirmua gjatë takimit që kryeministri Edi Rama pati këtë të martë në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Mark Rutte. Mbajtja e tij në kryeqytetin shqiptar vjen pas vendimit të marrë nga vendet anëtare.

Me organizimin e samitit, Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i forumit më të lartë politik të NATO-s. Siguria dhe stabiliteti euroatlantik në Ballkanin Perëndimor pritet të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve.

Të lidhura

None found

Takimi u përqendrua te siguria euroatlantike, zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe roli që Shqipëria luan në Aleancë. Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë për Media dhe Informim, Rama dhe Rutte shqyrtuan sfidat e sigurisë, përfshirë kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Të dyja palët theksuan nevojën për bashkërendim më të fortë mes vendeve anëtare për t’u përballur me këto rreziqe.

Në bisedë u trajtua edhe zhvillimi i Korridorit VIII si rrugë e mobilitetit ushtarak mes Adriatikut dhe Detit të Zi. Ky korridor vlerësohet si i rëndësishëm për lëvizshmërinë dhe gatishmërinë operacionale të NATO-s në krahun juglindor. Në të njëjtin kontekst, palët diskutuan projektin e Porto Romanos dhe mundësinë që ai ofron për të zhvilluar kapacitete infrastrukturore e logjistike në mbështetje të Aleancës.

Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria riafirmoi angazhimin e saj për të forcuar partneritetin transatlantik dhe për të përmbushur detyrimet që lidhen me mbrojtjen kolektive.


Shtuar më 3.11.2026 22:24