Tottenham zbarkon në Milano për pazar, synon transferimin e De Vrij dhe Kessie

Me Fabio Paraticin drejtor sportiv, merkatoja e Tottenhamit është përqendruar gjithmonë e më shumë te futbollistë që luajnë në kampionatin italian, teksa pasi mori portierin Gollini dhe mbrojtësin Romero nga Atalanta, ka piketuar dy emra të tjerë nga Seria A.

Bëhet fjalë për mbrojtësin holandez të Interit, Stefan De Vrij dhe mesfushorin e Milanit, Franck Kessie, të dy lojtarë që po bëjnë mjaft mirë me klubet milaneze dhe kanë rol mjaft të rëndësishëm në ekipet përkatëse.

Mesfushori nga Bregu i Fildishtë është futur në vitin e fundit të kontratës me kuqezinjtë dhe deri tani palët janë ende larg rinovimit, pasi Milani nuk është gati të plotësojë pretendimet ekonomike të Kessie, që synon një pagë prej 8 milionë eurosh në sezon.

Megjithatë gara për futbollistin është mjaft e fortë, pasi nëse shkon me parametra zero, shumë klube mund të vihen në lëvizje dhe të tregojnë gatishmërinë për të marrë shërbimet e tij, përfshi këtu edhe ekipe si Paris Saint Germain, Real Madrid e Manchester United.

Holandezi De Vrij ka kontratë deri më 2023-shin me zikaltrit dhe palët janë duke negociuar, pasi menaxheri i tij Mino Raiola kërkon një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, ndërsa drejtuesit e Interit nuk shkojnë përtej 5 milionë eurove, duke parë edhe faktin që pas pak muajsh mbrojtësi do të festojë ditëlindjen e 30.

Nëse palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovim, atëherë në Milano do të jenë të detyruar ta shesin verën e ardhshme për të mos e humbur me parametra zero dhe në këtë rast Tottenhami është gati të trokasë me një ofertë prej 20-25 milionë eurosh.


Shtuar 5.09.2021 10:52