E ardhmja e Julian Alvarez në radhët e Atletico Madridit ende nuk është e qartë, ndërsa Arsenali vazhdon ta mbajë nën vëzhgim situatën e sulmuesit argjentinas.
Mediumi CaughtOffside raportoi më herët se klubi londinez është i interesuar për 26-vjeçarin, emri i të cilit prej një kohe lidhet me një largim të mundshëm nga kryeqyteti spanjoll.
Të lidhura
None found
Gjatë Kupës së Botës 2026, Alvarez ndezi diskutimet me deklaratën se dëshironte të largohej nga Atletico Madridi, në mënyrë që të realizonte ëndrrën për të luajtur me Barcelonën.
Megjithatë, së fundmi ai u ka kërkuar falje tifozëve të Atleticos dhe ka pranuar se gaboi si në formulimin e deklaratave, ashtu edhe në kohën kur zgjodhi t’i bënte ato.
“Ishte një gabim, si në mënyrën se si i thashë ato fjalë, ashtu edhe në kohën kur i thashë”, u shpreh Alvarez pasi shënoi golin e fitores ndaj Deportivo La Corunas.
Edhe pse spekulimet vazhdojnë, një transferim në afatin kalimtar të janarit shihet si një mundësi e vështirë. Atletico Madridi raportohet se kërkon rreth 150 milionë euro për të dhënë miratimin për largimin e tij.
Një shifër e tillë do të përbënte një barrë të madhe financiare për Arsenalin, i cili do të duhej të realizonte një investim të jashtëzakonshëm për të marrë shërbimet e reprezentuesit argjentinas.
Rrethanat vështirësohen edhe nga raportimet se Alvarez, nëse largohet nga Atletico Madridi, do të preferonte ta vazhdonte karrierën në futbollin spanjoll.
Për tani, Arsenali mbetet mes klubeve që po monitorojnë zhvillimet rreth sulmuesit. Mbetet për t’u parë nëse interesimi i londinezëve do të shndërrohet në një ofertë zyrtare gjatë muajve të ardhshëm.





