Agim Ademi për rikthimin e Eliot Bujupit: Ditët më të mira të karrierës së tij ende nuk kanë ardhur

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka reaguar pas rikthimit të Eliot Bujupit në fushën e futbollit, rreth dhjetë muaj pasi talenti kosovar ishte detyruar të qëndronte jashtë për shkak të një dëmtimi në gju.

Futbollisti u aktivizua me VfB Stuttgart II në përballjen ndaj Alemannia Aachen, duke lënë pas një periudhë të gjatë dhe të vështirë rehabilitimi.

Të lidhura

None found

Ademi e ka përgëzuar Bujupin për forcën karakteriale, durimin dhe angazhimin e treguar gjatë rikuperimit, ndërsa i ka uruar shëndet dhe arritje të reja në vazhdim të karrierës.

“Për çdo futbollist, lëndimet përbëjnë një ndër sfidat më të vështira, veçanërisht kur bëhet fjalë për talentet e reja. Rikthimi i Eliotit tregon qartë karakterin e fortë, durimin, përkushtimin dhe dashurinë që ai ka për futbollin”, ka shkruar Ademi.

Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës ka nënvizuar se FFK-ja u qëndron pranë futbollistëve të saj si në periudhat e suksesit, ashtu edhe gjatë vështirësive.

“Me talentin dhe përkushtimin që e karakterizojnë, jam i bindur se ditët më të mira janë ende përpara tij. Mirë se u riktheve, Eliot! Të presim edhe më të fortë”, ka përfunduar Ademi.

Bujupi konsiderohet një nga talentet më të mëdhenj të futbollit kosovar dhe, që në moshë të re, ka debutuar me Kosovën A.