Një burrë, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur, dyshohet se është personi të cilit i përkasin mbetjet njerëzore të gjetura në disa çanta shpine në lumin Rajn, në kantonin Aargau të Zvicrës, pranë kufirit me Gjermaninë.
Zbulimi u bë të hënën në mëngjes, në afërsi të zonës së Stein, pasi tre burra që ndodheshin pranë lumit vunë re një çantë shpine në ujë. Pasi e nxorën në breg, ata gjetën brenda saj një këmbë njeriu dhe lajmëruan policinë.
Të lidhura
None found
Forcat e rendit nisën menjëherë kontrollet në atë pjesë të lumit, duke përdorur një varkë dhe zhytës. Gjatë kërkimeve u gjetën edhe çanta të tjera, në të cilat kishte mbetje njerëzore që, sipas autoriteteve, i përkasin një burri.
Shërbimi mjeko-ligjor i kantonit Aargau po analizon provat për të përcaktuar identitetin e viktimës dhe për të sqaruar shkaqet e vdekjes.
Policia kantonale deklaroi se të dhënat e para sugjerojnë se burri mund të jetë vrarë, ndërsa autoritetet po e trajtojnë rastin si një krim të dhunshëm.
Deri tani nuk ka informacione zyrtare lidhur me vendin ku mund të jetë kryer krimi, mënyrën e zhvillimit të ngjarjes apo identitetin e autorit të dyshuar.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të raportojnë çdo të dhënë që mund të ndihmojë në hetim, veçanërisht për lëvizje ose veprime të dyshimta të vërejtura pranë brigjeve të lumit Rajn apo në zona të tjera.
Prokuroria ka nisur një procedim penal për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje.







