Walter Koenig, aktori amerikan i njohur në mbarë botën për rolin e Pavel Chekov në sagën fantastiko-shkencore “Star Trek”, ka vdekur në moshën 90-vjeçare.
Koenig u nda nga jeta në banesën e tij në North Hollywood, ndërsa pranë tij ndodheshin familjarët. Informacioni u bë i ditur nga përfaqësuesi i aktorit për revistën “The Hollywood Reporter”.
Të lidhura
None found
Zachery McGinnis, themeluesi i agjencisë “Galactic Productions” që përfaqësonte Koenig, njoftoi përmes “Facebook” se aktori kishte ndërruar jetë në praninë e vajzës dhe mbesës së tij. Shkaku u cilësua si pasojë e moshës së thyer, pa dhënë hollësi të tjera.
“Sot vajtojmë ndarjen nga jeta të Walter Koenig, talenti, ngrohtësia dhe interpretimet e paharrueshme të të cilit lanë gjurmë te breza të tërë fansash në mbarë botën”, shkroi McGinnis.
Themeluesi i “Galactic Productions” shtoi se ndikimi i aktorit nuk kufizohej vetëm te puna e tij në ekran. Ai kujtoi edhe takimet e shumta të Koenig me admiruesit dhe përkushtimin e tij ndaj komunitetit të krijuar rreth “Star Trek”.
Vdekja e aktorit shkaktoi reagime edhe te kolegët e tij, ndërsa një prej tyre ishte George Takei, i cili interpretoi Hikaru Sulun në të njëjtin serial.
“Zemra më është rënduar”, shkroi Takei në Facebook, duke treguar se e kishte njohur Koenigun në vitet 1960, në urën komanduese të anijes imagjinare Enterprise. Miqësia e tyre zgjati gjashtë dekada dhe Koenig shërbeu si dëshmitari kryesor i Takeit në martesën e tij në vitin 2008.
“Walter ishte shumë më tepër se Chekov. Ai ishte shkrimtar, mësues, një njeri i menduar dhe një mik besnik”, u shpreh Takei.
Aktori falënderoi fansat që e kishin mbështetur dhe dashur Koenigun për vite me radhë, duke nënvizuar se edhe ai kishte ndier një dashuri të veçantë për ta.
Lajmi u konfirmua gjithashtu nga Jesse Thorn, drejtuesi i emisionit radiofonik Bullseye në NPR, i cili iu referua vajzës së aktorit, Danielle Koenig. Thorn vuri në dukje lidhjen e sinqertë mes anëtarëve të kastit të “Star Trek”, e ruajtur për shumë dekada.
Walter Koenig lindi në Çikago dhe u rrit në Manhattan, në një familje emigrantësh me origjinë lituaneze. Hapat e parë në aktrim i hodhi në vitin 1962, me një paraqitje të pakredituar si roje në serialin televiziv Combat!.
Aktori iu bashkua ekipit të “Star Trek” në nisje të sezonit të dytë dhe u shfaq në 36 prej 50 episodeve të transmetuara gjatë periudhës 1967-1969.
Roli i Pavel Chekov, oficerit rus në bordin e Enterprise, u shndërrua në një nga personazhet më të dallueshme të serialit dhe mbeti i lidhur me karrierën e Koenig për një pjesë të madhe të jetës së tij profesionale.
Koenig e interpretoi sërish Chekovin në shtatë filmat e parë të sagës “Star Trek”, të publikuar nga viti 1979 deri në vitin 1991. Në vitin 2017, ai u shfaq edhe në serinë online Renegades.
Dalja e tij e fundit në universin e “Star Trek” ndodhi në vitin 2023, në një episod të serialit Star Trek: Picard. Aty ai i dha zërin Anton Chekov, djalit të personazhit të tij origjinal.
Veprimtaria e Koenig nuk u kufizua vetëm te aktrimi. Ai shkroi episode për seriale si The Powers of Matthew Star, Family, Land of the Lost dhe The Incredible Hulk. Në vitin 2010, ai ishte skenarist, producent dhe aktor në filmin fantastiko-shkencor InAlienable, ku luajti edhe Richard Hatch.
Walter Koenig ishte i martuar me aktoren Judy Levitt. Ata ishin bashkë që prej vitit 1965 dhe punuan së bashku në disa produksione, mes tyre tre filma të “Star Trek” dhe seriali fantastiko-shkencor Babylon 5, i transmetuar nga viti 1994 deri në vitin 1998.
Judy Levitt vdiq në dhjetor të vitit 2022, në moshën 83-vjeçare. Familja u përball me një tjetër tragjedi në vitin 2010, kur djali i tyre, Andrew Koenig, aktor i njohur për interpretimin e Richard “Boner” Stabone në serialin Growing Pains, humbi jetën në moshën 41-vjeçare.
Pas vetes, Walter Koenig lë vajzën Danielle Koenig, e cila është aktore dhe skenariste.
Vdekja e tij shënon humbjen e një prej aktorëve që kontribuuan në ndërtimin e trashëgimisë së “Star Trek”, një prej sagave fantastiko-shkencore më të njohura dhe më me ndikim në historinë e televizionit.







