Rënia e përkrahjes për Donald Trumpin dhe pakënaqësia e amerikanëve ndaj shtrenjtimit të jetesës e rritjes së çmimeve kanë ushqyer pritshmëritë e Partisë Demokratike për zgjedhjet e mesit të mandatit.
Sondazhet e nxjerrin këtë forcë politike përpara në betejën për Dhomën e Përfaqësuesve. Ato tregojnë gjithashtu rezultate të favorshme në disa prej garave kyçe për Senatin, mes tyre në Teksas, Kansas dhe Maine. Megjithatë, BBC ngre pikëpyetje mbi besueshmërinë e këtyre matjeve.
Të lidhura
None found
Përvoja e zgjedhjeve të kaluara tregon se anketimet e kanë paraqitur mbështetjen për Trumpin më të ulët nga sa ishte në të vërtetë. Shumë nga përkrahësit e tij nuk u përgjigjen sondazheve, ndërsa ditën e votimit shkojnë masivisht në kutitë e votimit.
Ekspertët shpjegojnë se realizimi i sondazheve është vështirësuar: qytetarët u përgjigjen gjithnjë e më rrallë telefonatave dhe një pjesë e elektoratit konservator refuzon të përfshihet në anketime. Kjo ngre mundësinë që epërsia e demokratëve në rezultatet e publikuara të jetë artificiale.
Në anën republikane, disa rrethana përbëjnë avantazh. Shumë nga zonat ku zhvillohet gara kanë votuar tradicionalisht për republikanët, ndërsa polarizimi politik ka zvogëluar peshën e elektoratit të pavendosur. Për më tepër, partia ka shpenzuar qindra miliona dollarë në reklama për fushatën zgjedhore.
Megjithatë, shpresa e demokratëve për një rezultat të favorshëm mbështetet edhe te zgjedhjet lokale dhe speciale të vitit të kaluar, në të cilat performanca e tyre tejkaloi parashikimet e sondazheve.
Një tjetër shqetësim për ta është mënyra se si mund të reagojë Trumpi nëse humbet. Duke qenë se ai ka ngritur vazhdimisht dyshime mbi integritetin dhe sigurinë e procesit zgjedhor amerikan, ekziston frika se rezultatet mund të kundërshtohen sërish prej tij.
Optimizmi i Partisë Demokratike dhe epërsia në sondazhe nuk përbëjnë garanci për fitore. Pjesëmarrja në votime, aftësia e secilës parti për të mobilizuar mbështetësit dhe zgjedhja e qytetarëve ende të pavendosur pritet të jenë përcaktuese për rezultatin, pasi edhe diferenca fare të vogla mund të vendosin se kush do ta kontrollojë Kongresin.








