Gjykata në Francë lë në paraburgim shqiptarin e akuzuar për shfrytëzim prostitucioni

Gjykata e La Rochelle në Francë ka refuzuar kërkesën për lirimin nga paraburgimi të një shqiptari 30-vjeçar, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni në këtë qytet. Duke pranuar argumentet e prokurorisë për rrezikshmërinë e tij dhe mundësinë e arratisjes, gjykata vendosi që ai të mbetet në burg.

30-vjeçari u arrestua më 16 tetor dhe u dërgua në paraburgim në burgun e Rochefort. Më 19 tetor, ai doli para Gjykatës së La Rochelle për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim. Vendimi për çështjen në themel pritet të jepet më 2 dhjetor.

Të lidhura

None found

Mediat franceze raportojnë se shqiptari qëndron në Francë pa dokumente të rregullta. Ai është identifikuar me dokumente të falsifikuara, duke përdorur një identitet italian, gjë që e ka pranuar gjatë marrjes në pyetje.

Për të është lëshuar edhe një urdhërarrest ndërkombëtar përmes Interpolit, më 13 dhjetor 2016. Shqipëria ka kërkuar ekstradimin e tij, pasi dyshohet për tentativë vrasjeje në vendin e tij. Ai i mohon këto akuza dhe thotë se bëhet fjalë për një gabim.

Dyshimet për shfrytëzim prostitucioni lidhen me një aktivitet që pretendohet të ketë ndodhur në La Rochelle nga 1 janari 2023 deri më 7 tetor 2026. I pandehuri mohon të jetë përfshirë dhe deklaron se nuk e dinte që gruaja me të cilën bashkëjetonte prej vitit 2022 ushtronte prostitucion.

Në seancë, ai pretendoi se ishte viktimë e gruas, duke thënë se ajo kishte vepruar njësoj edhe me dy bashkëshortët e saj të mëparshëm. Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë telefonin e tij celular dhe po kërkojnë të identifikojnë një grua tjetër që dyshohet se është shfrytëzuar për prostitucion në La Rochelle.

Prokuroria kërkoi vazhdimin e paraburgimit, me argumentin se shqiptari nuk ka qëndrim të rregullt në Francë dhe mund të largohet pa lënë gjurmë. Ajo theksoi gjithashtu rrezikshmërinë e tij dhe faktin se kërkohet nga autoritetet për një çështje të rëndë në Shqipëri.

Pas vendimit të gjykatës për ta mbajtur në paraburgim, 30-vjeçari u shpreh i pakënaqur. Ai deklaroi se ishte kërcënuar edhe brenda burgut dhe pretendoi se kishte pamje filmike që e vërtetonin këtë.


Shtuar më 3.11.2026 19:19