Arben Fetoshi, drejtor i Institutit “Octopus”, ka reaguar ndaj nderimit të Ratko Mlladiqit në Republikën Serbe dhe paralajmërimit për organizimin e një varrimi shtetëror në Serbi.
Të lidhura
None found
Sipas tij, glorifikimi i ish-komandantit serb përfaqëson vijimësinë e politikave të së kaluarës dhe cenon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Fetoshi e lidh këtë qasje me narrativën e “Botës Serbe” dhe pretendimet e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Një “gjeneral” serb, i dënuar nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për “gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”, vazhdon të shihet si kërcënim për sigurinë e Ballkanit Perëndimor edhe pas vdekjes.
Ndërsa në Republikën Serbe Ratko Mlladiq nderohet, Bosnja vijon të mbajë zi për fëmijët, gratë dhe burrat e vrarë në masakrat e tij. Në të njëjtën kohë, njoftimi për një ceremoni shtetërore varrimi në Serbi shihet si sinjal strategjik drejtuar Kosovës dhe komunitetit euro-atlantik.
Fetoshi vlerëson se, përtej reagimeve të zbehta të aktorëve civilë dhe humanitarë, nderimi institucional i Mlladiqit dëshmon se politika e Millosheviqit vazhdon të jetë e pranishme, tashmë e maskuar pas konceptit të “Botës Serbe”.
Fakti nëse kjo shkel ligjin, siç thekson Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, apo nëse përbën “skandal e turp”, sipas Akademisë për Zhvillim Demokratik në Novi Sad, si dhe pasojat që mund të ketë në rrugëtimin drejt BE-së, nuk duket se kanë peshë për sa kohë nderimi mbrohet përmes strategjisë së mohimit dhe përdoret për të “legjitimuar” ideologjinë e “Serbisë së Madhe”.
Presidenti Vuçiq mund të përpiqet ta “zbusë” deklaratën e ministrit të tij, Nenad Vujiq, por kjo, sipas Fetoshit, nuk e mbulon rrezikun real, i cili paraqitet i mbështjellë me një narrativë “viktimizimi”.
Një varrim i Mlladiqit me “dinjitet” nuk përbën distancim nga gjenocidi dhe spastrimi etnik. Përkundrazi, ai shihet si një lojë me fjalët që e kërcënon rajonin përmes ndërtimit të një narrative për Kosovën “represive”.
