Kutia e shpejtësive është ndër komponentët më të rëndësishëm të veturës, ndërsa dëmtimet e saj mund t’u kushtojnë shtrenjtë pronarëve. Vërejtja në kohë e simptomave të para mund të ndihmojë në shmangien e problemeve më të rënda.
Ekspertët e automobilizmit këshillojnë që të mos shpërfillen ndërrimi me vështirësi i shpejtësive, dridhjet apo zhurmat e pazakonta që shfaqen gjatë punës së kutisë.
Të lidhura
None found
Megjithëse modelet moderne përgjithësisht njihen për besueshmëri, defektet mund të vijnë si pasojë e konsumimit të pjesëve të brendshme, cilësisë së prodhimit, montimit të gabuar ose mënyrës se si përdoret vetura.
Toyota thotë se problemet e mundshme hasen më shpesh te kutitë manuale sesa te ato automatike. Në veçanti, kompania e konsideron shumë të besueshëm sistemin automatik e-CVT, të përdorur në veturat e saj hibride.
Vështirësia në kalimin e shpejtësive nuk do të thotë domosdoshmërisht se kutia është dëmtuar e tëra. Shkaku mund të jetë friksioni, mekanizmi i ndërrimit, mbajtëset apo ndonjë pjesë tjetër e transmetimit. Prandaj, përcaktimi i saktë i problemit duhet të paraprijë riparimin.
Simptomat që kërkojnë vëmendje
Problemet e kutisë së shpejtësive mund të sinjalizohen nga disa shenja:
– Zhurma të pazakonta kur ndërrohen shpejtësitë.
– Rezistencë ose vështirësi gjatë kalimit mes shpejtësive.
– Pamundësi për të aktivizuar një apo disa shpejtësi.
– Dridhje gjatë punës së kutisë.
– Dalje e veturës nga shpejtësia e vendosur pa ndërhyrjen e drejtuesit.
Në rast se shfaqet ndonjëra prej këtyre shenjave, vetura duhet dërguar sa më parë për kontroll në servis. Vozitja e mëtejshme me kutinë e dëmtuar mund ta rëndojë defektin dhe të shtojë shpenzimet e riparimit.
Si të ruhet kutia e shpejtësive
Zakonet gjatë vozitjes kanë ndikim të rëndësishëm në jetëgjatësinë e kutisë. Në veturat manuale, friksioni duhet shtypur deri në fund sa herë ndërrohet shpejtësia, ndërsa këmba nuk duhet mbajtur vazhdimisht mbi pedale.
Ngarkimi i menjëhershëm i veturës pasi ndizet është një tjetër veprim i zakonshëm që duhet shmangur, pasi motori dhe kutia mund të jenë ende të ftohtë. Ekspertët sugjerojnë vozitje të kujdesshme në kilometrat e parë, pa përshpejtime të vrullshme dhe pa rrotullime të larta të motorit.
Mirëmbajtja duhet kryer gjithashtu në përputhje me udhëzimet e prodhuesit. Edhe kur disa sisteme moderne nuk përcaktojnë intervale të rregullta për ndërrimin e vajit të kutisë, ky shërbim mund të nevojitet. Koha mes ndërrimeve varet nga modeli, lloji i kutisë dhe kushtet e përdorimit.







