Qelaj për vrasjen e Arlinda Zekajt: Viktima nuk kishte paraqitur ankesë tek ne

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u bëri thirrje institucioneve të shqyrtojnë punën dhe përgjegjësitë e tyre në përpjekjet për të parandaluar ngjarje të tilla.

I ftuar në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, Qelaj tha se institucionet nuk duhet të mjaftohen me shprehjen e tronditjes, por duhet të vlerësojnë nëse kanë vepruar sa duhet për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Të lidhura

None found

“Përtej asaj që është bërë retorikë e zakonshme duke treguar se sa të tronditur jemi, mendoj që e para që duhet të bëjmë kur ndodhin raste të tilla është që të reflektojmë se çfarë kemi bërë, cilat kanë qenë veprimet tona në kuadër të kompetencave e përgjegjësive që kemi për t’i shmangur raste të tilla”, deklaroi Qelaj.

Sipas tij, përgjegjësia kryesore për sigurinë dhe jetën e qytetarëve u takon Policisë dhe sistemit të drejtësisë. Megjithatë, ai theksoi se përgjegjësia përfshin edhe institucionet e tjera shtetërore, mes tyre edhe Avokatin e Popullit.

Qelaj tha se, me sa ka dijeni, institucioni i tij nuk kishte marrë më herët ankesë për rastin e Arlinda Zekajt. Ai shtoi se, sa herë ndodhin raste të ndjeshme, angazhohet për të shqyrtuar informacionet që disponon institucioni.

“Unë, me sa e di, nuk na ka shkruar kurrë. Nuk arrij t’i mbaj mend të gjithë ankuesit, por kur ka raste të ndjeshme, menjëherë angazhohem për të parë se çfarë kemi për rastin. Nuk them se, po të ishte adresuar te ne, do të ndryshonte rasti, por besoj fuqishëm se të gjitha hallkat e shtetit duhet të shohin nëse kanë bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar raste të tilla, që fatkeqësisht janë raste të përsëritura”, u shpreh ai.

Gjatë emisionit, Avokati i Popullit foli edhe për dhunën në familje në Kosovë. Ai vuri në dukje se shifrat e raportuara nuk e pasqyrojnë të gjithë përmasën e problemit, pasi raste të shumta nuk bëhen publike.

“Ajo që e shpërfaqin statistikat është vetëm një pjesë. Kemi mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje të raportuara dhe mund të ketë edhe më shumë brenda mureve që nuk raportohen. Por mekanizmat kanë dështuar”, deklaroi Qelaj.


Shtuar më 27.10.2026 21:38