Teksa protestat studentore kundër qeverisë vazhdojnë, aktivisti Aulon Kalaja ka hedhur pretendime për një largim të mundshëm të kryeministrit Edi Rama nga detyra.
I ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, Kalaja tha se Rama po zhvillon negociata me palën amerikane për t’u larguar nga posti i kryeministrit. Sipas tij, një prej pikave të diskutimit është nëse Rama do të përballet me përgjegjësi penale.
Të lidhura
None found
Aktivisti pretendoi se të dhënat për këto zhvillime vijnë nga shërbime në rajon dhe se deri tani palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët.
“Mendoj se SPAK drejtohet nga amerikanët. Zoti Rama po negocion për t’u larguar si kryeministër. Ata nuk kanë pranuar që zoti Rama të mos mbajë përgjegjësi penale. Po diskutohet nëse do të mbajë përgjegjësi penale apo jo. Në këto momente, vëmendja e tyre nuk është te SPAK-u, por te një marrëveshje e mundshme”, u shpreh Kalaja.
Kalaja foli edhe për anulimin e vizitës së Ramës në Vjenë dhe udhëtimin e tij në Mal të Zi, duke i paraqitur këto ngjarje si pjesë të negociatave për largimin e kryeministrit.
Sipas aktivistit, Rama synon të largohet nga pushteti pa pasoja, por pala amerikane nuk e ka pranuar këtë mundësi.
“Pra janë amerikanët që po diskutojnë një marrëveshje me kryeministrin Rama për të cilën nuk kanë rënë dakord. Momenti i parë ka qenë kur do të shkonte në Vjenë, që u anulua vizita. Momenti i dytë që nuk është pranuar ikja e tij kur ka shkuar në Mal të Zi. Këtë informacion e kemi nga shërbimet rreth e qark Shqipërisë. Mendoj se ikja e tij është e pakthyeshme.
Mendoj se rasti shqiptar është tipik. Nuk mund ta mbajë pushtetin në këtë lloj forme dhe po shikohet mënyra e ikjes së tij, të cilën e kërkon pa kosto”, tha ai.







