Përpara se të bëhej Mbret i Norvegjisë, Harald sfidoi rregullat e oborrit duke zgjedhur Sonja Haraldsen, vajzën e një biznesmeni, si gruan me të cilën dëshironte të ndante jetën.
Të lidhura
None found
Dyshja ishte njohur në një festë, në kohën kur Haraldi mbante ende titullin e princit të kurorës. Në vend që të lidhte jetën me një pjesëtare të aristokracisë apo të një familjeje mbretërore europiane, siç e kërkonte tradita, ai vendosi të martohej me një qytetare të zakonshme.
Kjo zgjedhje hasi kundërshtime dhe ngriti shqetësime serioze për të ardhmen e monarkisë. Biografia e Haraldit, e publikuar në faqen zyrtare të familjes mbretërore norvegjeze, tregon se vendimi i tij nxiti “debate të konsiderueshme”, ndërsa disa zëra parashikonin madje edhe rënien e monarkisë.
Megjithatë, Haraldi nuk hoqi dorë nga Sonja. Atij iu desh të priste nëntë vite, derisa babai i tij, Mbreti Olav V, dha përfundimisht miratimin për martesën.
Kurorëzimi i historisë së tyre të dashurisë erdhi më 29 gusht 1968, kur Harald dhe Sonja zhvilluan ceremoninë martesore në Katedralen e Oslos. Kjo ngjarje u shndërrua në një pikë të rëndësishme kthese për monarkinë norvegjeze.
Vendosmëria e Haraldit pati pasoja që shkuan përtej jetës së çiftit. Martesa krijoi një precedent brenda familjes mbretërore, duke u hapur më vonë rrugën edhe dy fëmijëve të tyre që të zgjidhnin partnerë jashtë familjeve mbretërore.
Një vendim që fillimisht u konsiderua si përplasje me traditën u shndërrua në një lidhje që zgjati për dekada dhe ndryshoi mënyrën se si oborri mbretëror norvegjez i trajtoi martesat e brezave pasardhës.
