Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore dhe ka përfunduar transferimin e mjeteve financiare në llogaritë e prindërve përfitues, si subvencion për tekstet shkollore të nxënësve nga klasa e parë deri në klasën e nëntë për këtë vit shkollor.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të MASh, aplikimi i prindërve dhe kujdestarëve ligjorë ka filluar më 27 korrik përmes platformës eKosova. Çdo kërkesë e dorëzuar është kontrolluar nga koordinatorët e autorizuar në shkolla, ndërsa listat e verifikuara janë shqyrtuar përfundimisht nga komisioni përkatës i MASh.
Pas përfundimit të verifikimeve, lista e përfituesve i është përcjellë Ministrisë së Financave, e cila ka realizuar transferimin e mjeteve në llogaritë bankare të prindërve.
Ministria bëri të ditur gjithashtu se ka zhvilluar negociata me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve përfundimtare të shitjes së teksteve shkollore. Komisioni i negocimit ka hartuar raportin final për rezultatet e këtij procesi.
Mbështetur në këtë raport dhe në autorizimet ligjore, MASh ka miratuar Katalogun zyrtar të Teksteve Shkollore, ku janë përcaktuar çmimet finale për secilin tekst. Këto çmime janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore.
Katalogu është publikuar online dhe mund të gjendet në këtë link: https://mash.rks-gov.net/…/katalogu-i-teksteve…/ .
Vlera e subvencionimit për një prind ose nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është përcaktuar si më poshtë:
Për klasat 1 dhe 2 janë ndarë 60 euro.
Për klasën 3 janë ndarë 65 euro.
Për klasën 4 janë ndarë 70 euro.
Për klasën 5 janë ndarë 80 euro.
Për klasat 6 dhe 7 janë ndarë 90 euro.
Për klasat 8 dhe 9 janë ndarë 100 euro.
