PDK-ja ka bërë të ditur se do të paraqesë kallëzim penal ndaj Avni Deharit, nën dyshimin për “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, vepër e përcaktuar në nenin 414 të Kodit Penal.
Të lidhura
None found
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, deklaroi në një konferencë për media se përgjegjësia e mundshme penale lidhet me mosvazhdimin e seancës konstituive brenda afatit ligjor prej 48 orësh, që nga 8 gushti 2026.
Sipas partisë opozitare, Dehari ka tejkaluar kompetencat procedurale duke e lidhur vazhdimin e seancës me arritjen e një marrëveshjeje politike, edhe pse grupet parlamentare opozitare i kanë dërguar disa kërkesa me shkrim.
PDK-ja ka përfshirë në kallëzimin penal kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, në të cilat kërkohej rifillimi i seancës konstituive.
Partia pretendon se zvarritja e seancës ka penguar konstituimin e Kuvendit, si dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje.
Gruda u shpreh se PDK-ja pret që Prokuroria Speciale ta shqyrtojë rastin në pajtim me ligjin dhe të përcaktojë nëse ka përgjegjësi penale për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
