Pas fëmijëve, gjendet edhe trupi i Alma Arrazit

Është gjetur edhe trupi i 39-vjeçares Alma Arrazi, e cila u vetëhodh në lumin Bunë të Shkodrës bashkë me 3 fëmijët.

Trupi i djalit të vogël u gjet paraditen e sotme, ndërsa po ashtu është gjetur edhe trupi i dy vajzave, 9 dhe 8 vjeçe.

Tragjedia ndodhi më 2 maj, kur dyshohet se Alma Arrazi në kushte të rënduara psikologjike, u hodh bashkë me tre fëmijët e saj në lumin Buna.

Trupi i vajzës së madhe, E.Arrazi, 9 vjeç  u gjet mbrëmjen e 4 majit nga një peshkatar në lumin Buna. Pasditen e së hënës, polumbarët gjetën trupin e dytë të vajzës së vogël 8 vjeçe jo shumë larg urës së Bunës.

Ndërsa ditën e sotme, 7 maj, u gjet trupi i Almës dhe djalit 3 vjeçar.

Erdgys Arrazi, bashkëshorti i Almës, është vënë në pranga dhe akuzohet se ka shtyrë gruan drejt vetëvrasjes.

Nga familja e Almës, motra e saj, u ka thënë hetuesve se Erdgys Arrazi ushtronte dhunë fizike e psikologjike ndaj 39-vjeçares e fëmijëve dhe vetëflijimi dyshohet se është pasojë e dhunës në familje.

Sipas dëshmive të tjera, shkaku shihet edhe tek tradhtia me një 18 vjeçare, për të cilën Alma kishte marrë dijeni. Madje pretendohet se Erdgysi e nxirrte live të dashurën e tij në celular, dhe ia tregonte vajzës 9-vjeçe.

Në një njoftim, prokuroria e Shkodrës ka treguar itinerarin e gruas dhe thotë se nga hetimet e deritanishme janë krijuar ‘dyshime të arsyeshme bazuar në prova se Erdgys Arrazi, si rrjedhojë e dhunës psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shfaqur në formën e ofendimeve të vazhdueshme dhe tradhtisë bashkëshortore, duke prekur rëndë dinjitetin e saj, ka shkaktuar vetëvrasjen e Alma Arrazit, e cila në gjendje të rënduar psikologjike dyshohet të jetë hedhur në lumë bashkë me tre fëmijët e mitur.

Gjykata e Shkodrës, vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Erdgys Arrazit.


Shtuar 7.05.2024 13:33