“Fundi i botës”, tartabiqet “pushtojnë” Parisin, por autoritetet mendojnë ndryshe

Zyrtarë të lartë nga ministritë e shëndetësisë, ekonomisë dhe transportit do të takohen të premten në kryeministri për të koordinuar një plan veprimi kundër tartabiqeve që janë kthyer në një çështje të madhe debati në Francë.

Qëllimi i tyre është të krijojnë një panoramë të saktë të fenomenit.

Entomologët dhe ekspertët e shëndetit kanë paralajmëruar se megjithëse ka pasur një rritje në popullatën e tartabiqeve – dhe jo vetëm në Francë – shumë raportime të qytetarëve nuk janë të sakta pasi thonë së bëhet fjalë për tartabiqe, por pastaj zbulohet se janë insekte të tjera të zeza, raporton AlbEu.com.

Nicolas Roux de Bézieux, krijuesi i faqes së internetit për kontrollin e tartabiqeve badbugs.fr, thotë se në tre nga katër telefonatat që merr nga pronarë të shqetësuar të shtëpive, problemet rezultojnë se nuk janë shkaktuar prej tartabiqeve.

Romain Morzaderc, një kontrollues i tartabiqeve në Brittany, i tha gazetës Ouest-France se “në 99% të rasteve, po ka insekte të zeza të keqe, por jo, ata nuk janë çimka”.

Qeveria është alarmuar nga mënyra se si historia e tartabiqeve ka dominuar titujt e mediave brenda dhe jashtë vendit. Ministrat kanë frikë se imazhi i Parisit po dëmtohet dhe se turizmi mund të vuajë, veçanërisht gjatë Lojërave Olimpike të vitit të ardhshëm.

Por ata duhet të vendosin një ekuilibër delikat midis qetësimit të publikut dhe në të njëjtën kohë ndërgjegjësimit për një problem që kërkon veprim të menjëhershëm nëse do të kontrollohet siç duhet.

Gjatë javëve të fundit, kompanitë e kontrollit të tartabiqeve në të gjithë Francën kanë raportuar një rritje të madhe të thirrjeve telefonike për to. Ekspertët thonë se pas pushimeve verore ka gjithmonë një ngritje dhe çdo vit rritja po bëhet më e madhe.

Ndërkohë, situata e krijuar nuk ka shpëtuar edhe prej mesazheve të çuditshme të konspiracionistëve, të cilët thonë se tashmë ka ardhur fundi i botës dhe shtimi i insekteve e paralajmëron pikërisht këtë. /albeu.com


Shtuar 6.10.2023 14:34