Siljanovska-Davkova në Parlamentin Evropian: Përparimi drejt BE-së kërkon vullnet politik të përbashkët dhe veprime konkrete

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova zhvilloi në Bruksel takime me eurodeputetët Dan Barna (Renew, Rumani), Tijs Reuten (SD, Holandë), Matej Tonin (PPE, Slloveni) dhe Karlo Resler (PPE, Kroaci).

Gjatë diskutimeve u trajtua ecuria e integrimit evropian të Maqedonisë, vështirësitë që ndikojnë politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rrugët e mundshme për zhbllokimin e negociatave të pranimit, të cilat prej kohësh kanë mbetur në vendnumëro.

Të lidhura

None found

Siljanovska-Davkova nënvizoi se vendi ka 21 vjet që gëzon statusin e kandidatit dhe se gjatë kësaj periudhe ka vijuar të angazhohet për anëtarësimin në BE, duke ndërmarrë edhe reforma të rëndësishme.

Ajo veçoi gjithashtu përputhjen e plotë të vendit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë si dëshmi të orientimit të qartë gjeopolitik dhe të mbështetjes së qëndrueshme për pozicionet evropiane.

Sipas presidentes, përgjegjësia për të treguar vullnet politik për përparim nuk u takon vetëm vendeve kandidate. Ajo tha se edhe Unioni duhet të ofrojë zgjidhje krijuese për kapërcimin e bllokimit të zgjatur, pa cenuar identitetin kombëtar dhe kulturor maqedonas.

Të pranishmit ndanë qëndrimin se RMV-ja e ka vendin në Bashkimin Evropian, ku i përket natyrshëm, edhe pse rruga drejt anëtarësimit mbetet e shoqëruar me sfida.

Disa prej eurodeputetëve theksuan se përvojat e vendeve të tyre tregojnë se procesi i pranimit mund të zgjasë dhe të përfshijë kushte të vështira, ndërsa përparimi i arritur nuk merr gjithmonë njohjen e merituar.