Për protestën kombëtare të paralajmëruar të shtunën është bërë thirrje për mobilizimin e qytetarëve, por organizimi konkret ende nuk është përcaktuar. Këtë sqarim dha aktivisti Dritan Goxhaj gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me “Prime News24”, ku foli për tubimin e pritshëm dhe kritikoi ashpër Partinë Demokratike.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mund të ndodhë gjatë protestës, Goxhaj tha se qëndrimi i pjesëmarrësve do të përcaktohet nga veprimet e forcave të policisë. Sipas tij, kundërpërgjigjja e protestuesve do të jetë, siç ka qenë gjithmonë, në përpjesëtim me ndërhyrjen policore.
Të lidhura
None found
Aktivisti u shpreh se policia ka përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës, ndërsa pjesëmarrësit në protesta kanë reaguar me mjetet që kanë pasur në dispozicion.
Në të njëjtën intervistë, ai akuzoi opozitën se po kërkon t’i ndajë protestuesit për përfitime politike. Reagimi i tij erdhi pas deklaratave të deputetit demokrat Klevis Balliu, sipas të cilit disa persona që mbanin mikrofonin i kishin penguar demokratët të merrnin fjalën gjatë protestave.
Goxhaj ngriti shqetësimin se sulmet dhe etiketimet ndaj protestuesve nuk vijnë vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita parlamentare. Ai tha se opozita i ka cilësuar si “horrat e mikrofonit”, një etiketim që, sipas tij, përdoret qëllimisht për të nxitur përçarje në shërbim të interesave të ngushta politike.
Në vlerësimin e aktivistit, këto përpjekje për t’u cenuar besueshmërinë pjesëmarrësve në protesta synojnë dobësimin e lëvizjes qytetare dhe krijimin e ndasive mes kundërshtarëve të qeverisë.







