Ousmane Dembele, fituesi aktual i Topit të Artë, është aktivizuar për vetëm 237 minuta nga 630 të mundshme në shtatë javët e para të Ligue 1. Megjithatë, Paris Saint-Germaini po arrin të fitojë edhe kur sulmuesi francez nuk luan rregullisht.
Të lidhura
None found
Të dhënat e platformës së statistikave FootMob tregojnë se Dembele ka zhvilluar pak më shumë se një të tretën e minutave të mundshme në kampionatin francez këtë sezon. Ai nuk u paraqit fare ndaj Lille dhe Le Mans, ndërsa në pesë ndeshjet e tjera nuk qëndroi në fushë deri në fund.
Në përballjen me Monacon luajti 21 minuta, kundër Rennes u aktivizua për një pjesë loje, ndërsa ndaj Brestit luajti 66 minuta dhe në ndeshjen me Marseille 79 minuta.
Vendimi i Luis Enriques për t’ia kufizuar minutat u vu re qartë të shtunën kundër Strasburgut. PSG-ja ishte në disavantazh kur Dembele hyri në lojë, rreth 25 minuta para përfundimit. Sulmuesi shënoi dhe dha një asistim, duke ndihmuar skuadrën të përmbyste rezultatin e të fitonte 3-1.
Pas ndeshjes, sipas mediave franceze, Luis Enrique u shpreh se 25 minuta në fushë, të shoqëruara me një gol dhe një asistim, ishin të mjaftueshme dhe se nuk kishte nevojë që Dembele të luante më gjatë.
Trajneri spanjoll tha se ngarkesa fizike duhet menaxhuar me kujdes për të gjithë futbollistët, pasi as Dembele dhe as lojtarët e tjerë nuk janë makina.
Në Ligën e Kampionëve dhe me kombëtaren e Francës, sulmuesi po merr më shumë minuta. Në ndeshjen ndaj Manchester Cityt luajti 76 minuta dhe kontribuoi përsëri me gol e asistim.
Deri tani, kjo mënyrë menaxhimi po i sjell rezultatet që kërkon PSG-ja, e cila synon ta mbajë yllin e saj të freskët fizikisht për ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Të martën, skuadrën franceze e pret një tjetër përballje e madhe, ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Kampioni francez duket se ka një mundësi që shumë rivalë të tij evropianë nuk e kanë në të njëjtën masë: t’i lërë pushim yjet kryesorë në disa ndeshje të kampionatit vendas.






