Transformimi i shpejtë që po sjell Inteligjenca Artificiale në industrinë e automobilave mund të prekë edhe profesionin e dizajnerit, duke rritur rrezikun për humbjen e vendeve të punës.
Të lidhura
None found
Karl Neuhold, përgjegjës për dizajnin e jashtëm të markës Skoda, pjesë e Grupit Volkswagen, ka rrëfyer se aftësitë e avancuara të teknologjisë AI e kanë befasuar.
Neuhold tha se i përdor personalisht këto mjete gjatë procesit të punës dhe se rezultatet që ato prodhojnë janë veçanërisht mbresëlënëse.
Sipas tij, nga një skicë e zakonshme mund të krijohen brenda vetëm pak sekondash disa variante digjitale, të cilat do të ishte e vështirë të përmirësoheshin edhe nga dizajnerët vetë.
Softuerët bashkëkohorë janë në gjendje të gjenerojnë imazhe realiste të automjeteve, duke paraqitur edhe hijet, reflektimet dhe mjedisin përreth.
Megjithatë, drejtuesi i dizajnit vlerëson se kjo rritje e produktivitetit mund t’i shtyjë kompanitë e automjeteve të funksionojnë me më pak dizajnerë në të ardhmen.
Si rrjedhojë, Inteligjenca Artificiale po shfaqet si një mbështetje e fuqishme për procesin krijues, por në të njëjtën kohë mund të përbëjë një kërcënim të rëndësishëm për vetë profesionistët e kësaj fushe. /Telegrafi/







