Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj qëndrimeve të Ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke i cilësuar ato si përpjekje për të cenuar Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, mënyra se si arsyeton ministri Shasivari lë të kuptohet se gjuha maqedonase konsiderohet e vetmja gjuhë juridike, ndërsa përdorimi i shqipes shihet si një çështje që duhet të negociohet, diskutohet dhe përcaktohet përmes akteve nënligjore.
Partia thekson se një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji nuk mund të reduktohet në një çështje që zgjidhet me akte nënligjore. Sipas saj, kjo qasje nuk e zgjidh problemin, por e thellon atë.
BDI ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si ministri e ka paraqitur takimin me studentët, duke pyetur se kur një takim i tillë u shndërrua në sukses politik, ndërkohë që zbatimi i Kushtetutës vazhdon të trajtohet si objekt negociatash.
Sipas reagimit, Ministri i Drejtësisë po shfaqet gjithnjë e më shumë si ministër i takimeve, konsultimeve, bisedave dhe premtimeve, ndërsa studentët shqiptarë vijojnë të përballen me të njëjtën pengesë: pamundësinë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
BDI nënvizon se të drejtat kushtetuese nuk mund të kushtëzohen nga vullneti i ministrit, përfundimet e takimeve apo interpretimi i akteve nënligjore. Këto akte, sipas partisë, duhet të garantojnë zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve, e jo të zëvendësojnë apo kufizojnë të drejtat e përcaktuara prej tyre.
Përdorimi i shqipes në provimin e jurisprudencës, vijon BDI, nuk është çështje kompromisi, por lidhet drejtpërdrejt me barazinë dhe respektimin e rendit kushtetues.
Studentët, thuhet në reagim, nuk kanë nevojë për një tjetër takim që të shpallet si sukses, por për një zgjidhje të qartë dhe të plotë, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, deklaruan nga BDI./Telegrafi/






