Tridhjetë e tre tekste shkollore për klasat e para, të dyta, të katërta dhe të pesta në arsimin fillor do të tërhiqen nga përdorimi, bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës në RMV.
Të lidhura
None found
Librat do të hiqen duke nisur nga viti shkollor 2027/28. Sipas Ministrisë, ato janë në vitin e pestë të përdorimit dhe kanë nevojë për përmirësim të cilësisë dhe përditësim të përmbajtjes.
Përmes Shërbimit Pedagogjik, Ministria ka shpallur konkurs për tekstet e reja të klasave përkatëse. Synimi është që botimet e reja të jenë gati për përdorim në vitin shkollor 2027/2028.
Ndërkohë, pas miratimit të programeve të reja mësimore, janë siguruar tekste për klasat e shtata dhe të teta të arsimit fillor, si dhe për vitet e para dhe të dyta të arsimit të mesëm. Për mbylljen administrative të procedurave, u vendos të hiqen gjithsej 108 tekste të përdorura më parë: 17 nga klasa e shtatë, 18 nga klasa e tetë, 35 nga viti i parë dhe 38 nga viti i dytë.
Ministria sqaroi se tërheqja e këtyre botimeve shërben për përmbylljen administrative të procedurave, pasi tekstet e reja tashmë janë siguruar dhe po përdoren.
Aktualisht është i hapur konkursi për tekstet e klasës së nëntë të arsimit fillor dhe të vitit të tretë të arsimit të mesëm. Edhe këto botime pritet të jenë të disponueshme në fillim të vitit të ardhshëm akademik 2027/2028./Telegrafi/







