Sipas studimit më të fundit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, “Deep Tech and Green Manufacturing in the Western Balkans”, vendet e Ballkanit Perëndimor po shënojnë përparim në bashkimin e teknologjive të avancuara me praktikat industriale të gjelbra, megjithëse ritmet e këtij zhvillimi ndryshojnë nga një vend në tjetrin.
Të lidhura
None found
Raporti identifikon Serbinë si vendin më të avancuar në rajon, falë peshës së saj si ekonomia më e madhe. Ajo veçohet për sistemin më të konsoliduar të financimit, si edhe për një bazë të fuqishme në robotikë, inteligjencë artificiale (IA) dhe mikroelektronikë, të mbështetur nga një rrjet i gjerë parqesh shkencore dhe fondesh publike.
Në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut evidentohet për instrumentet e forta që mbështesin inovacionin. Studimi nënvizon rolin e fondit INOVA, i cili synon fusha si IA, automatizimi dhe bujqësia inteligjente.
Bosnja dhe Hercegovina, edhe pse nuk ka një fond të vetëm qendror, paraqet potencial premtues në automatizimin industrial, teknologjitë mjekësore dhe robotikë. Sipas studimit, ky zhvillim mbështetet kryesisht te një sërë nismash nga donatorët dhe investime në nivel entitetesh.
Nga krahu tjetër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova paraqiten me ekosisteme më të kufizuara, por me mundësi zgjerimi përmes nismave në sektorin ICT dhe një përfshirjeje në rritje në tranzicionin e gjelbër.
Për Shqipërinë, raporti thekson se vendi po forcon infrastrukturën e start-upeve me ndihmë ndërkombëtare. Ndërkohë, Mali i Zi po përdor Parqet Shkencore dhe Teknologjike si mjet për të nxitur inovacionin ndërmjet sektorëve të ndryshëm.
Sa i përket Kosovës, studimi vëren se ajo ka një skenë aktive start-upesh, të cilat po shtrihen gjithnjë e më shumë drejt zgjidhjeve të gjelbra dhe rrjeteve të zgjuara energjetike.
Një tipar i përbashkët në gjithë rajonin, sipas RCC, është tranzicioni i dyfishtë, ai digjital dhe i gjelbër. Në këtë proces, teknologji si iA, ioT (Internet of Things) dhe robotika po shfrytëzohen për rritjen e efiçencës energjetike dhe për zhvillimin e ekonomisë rrethore.
Megjithatë, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal thekson se këto zhvillime shoqërohen ende me pengesa strukturore, mes të cilave investimet e ulëta në kërkim dhe shkencë, mungesa e kapitalit sipërmarrës për fazat e avancuara dhe humbja e talenteve si pasojë e emigrimit të të rinjve.
Për ta shndërruar këtë potencial në konkurrueshmëri konkrete, raporti vë theksin te nevoja për të mbyllur boshllëqet financiare, për të forcuar lidhjet mes akademisë dhe industrisë, si edhe për një koordinim më të afërt rajonal në kuadër të prioriteteve të Bashkimit Evropian, me fokus te materialet e avancuara, energjia e rinovueshme dhe dizajni ekologjik i produkteve.
