Komisioni Evropian ka bërë publik Kodin e Praktikës për shënimin dhe etiketimin e përmbajtjeve të prodhuara nga inteligjenca artificiale, duke vendosur masa vullnetare që synojnë t’i ndihmojnë ofruesit dhe përdoruesit e këtyre sistemeve të zbatojnë kërkesat e transparencës të përcaktuara në Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale.
Sipas KE-së, më 2 gusht do të nisin të zbatohen detyrimet për transparencë, të cilat në raste të caktuara kërkojnë që përmbajtjet e krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale të etiketohen qartë. Akti për Inteligjencën Artificiale parashikon që materialet e rreme të prodhuara me IA, të njohura si deepfake, si edhe tekstet e gjeneruara ose të ndryshuara nga inteligjenca artificiale dhe të publikuara për tema me interes publik, të identifikohen në mënyrë të qartë.
Të lidhura
None found
Komisioni theksoi gjithashtu se përdoruesit duhet të njoftohen kur janë duke bashkëvepruar me sisteme të inteligjencës artificiale, përfshirë chatbotët. Sipas tij, këto rregulla janë hartuar për t’i ndihmuar qytetarët të kuptojnë kur një material është krijuar ose manipuluar nga IA, duke ulur kështu rrezikun e mashtrimit dhe dezinformimit.
Dokumenti përbëhet nga dy pjesë, secila e dedikuar për kategori të ndryshme aktorësh. Pjesa që lidhet me ofruesit përcakton masa që synojnë të garantojnë se audio, imazhet, videot dhe tekstet e krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale të shënohen në një format të lexueshëm nga makinat dhe të mund të identifikohen si materiale të prodhuara ose të modifikuara artificialisht.
Ndërkaq, seksioni për përdoruesit sqaron detyrimet që ata kanë për të etiketuar qartë përmbajtjet deepfake dhe tekstet e krijuara ose të manipuluara nga inteligjenca artificiale, të publikuara për të informuar publikun mbi çështje me interes publik, në rastet kur nuk ka pasur shqyrtim njerëzor apo mbikëqyrje editoriale.
KE-ja bëri të ditur se këto kërkesa për transparencë plotësojnë dispozitat më të gjera të Aktit për Inteligjencën Artificiale, i cili rregullon modelet e inteligjencës artificiale me përdorim të përgjithshëm dhe sistemet me rrezik të lartë, duke mbështetur përdorimin dhe zhvillimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në të gjithë BE-në.
Kodi i Praktikës është hapur për nënshkrim dhe Komisioni Evropian u bëri thirrje ofruesve dhe përdoruesve të sistemeve të inteligjencës artificiale t’i bashkohen kësaj nisme. Pas miratimit nga KE-ja dhe Bordi për Inteligjencën Artificiale, nënshkruesit do të mund të dëshmojnë përputhshmërinë me detyrimet përkatëse të transparencës të parashikuara në Aktin për Inteligjencën Artificiale.
Komisioni njoftoi gjithashtu se kodi do të pasohet nga udhëzime shtesë, të cilat do të sqarojnë fushëveprimin e kërkesave ligjore dhe do të trajtojnë çështjet që nuk përfshihen në këtë dokument./ AA.
