Një prej shërbimeve që nga jashtë mund të duket i zakonshëm, ndërrimi i gomave, në të vërtetë kërkon punë të rëndë fizike dhe përsëritje të vazhdueshme. Në këtë proces, gabimet mund të ndodhin lehtësisht, ndërsa vlera e një punonjësi të aftë shpesh nënvlerësohet. Pikërisht në këtë sektor po prezantohet SmartBay, një platformë robotike e zhvilluar nga Automated Tire Inc. me bazë në Boston, që synon të ndryshojë mënyrën e montimit, balancimit dhe inspektimit të gomave përmes automatizimit dhe inteligjencës artificiale.
Ajo që e bën këtë sistem të veçantë është fakti se nuk punon si një riparues tradicional gomash, por synon ta bëjë më të shpejtë të gjithë procedurën duke i lënë disqet të montuara në automjet. Mjeti ngrihet si në një krik standard, ndërsa rrotat nuk hiqen fare nga makina.
Të lidhura
None found
Në vend të procesit klasik, ku hiqen bulonat, largohet rrota, dërgohet në pajisjen e montimit, balancohet dhe më pas rikthehet sërish në automjet, SmartBay e largon gomën drejtpërdrejt nga disqet ndërsa ato mbeten në vend. Këtë veprim sistemi e kryen njëherazi në të katër rrotat.
Pasi vendoset goma e re, pajisja është në gjendje të realizojë edhe balancimin e saj. Në të njëjtën kohë, përmes kamerave, teknikut i ofrohet edhe një pamje e gjendjes së frenave.
Sipas kompanisë, një teknik i vetëm mund të mbikëqyrë dy ose tre njësi të tilla paralelisht, ndërsa robotët merren me pjesën më të madhe të punës fizike.
SmartBay nuk ofrohet për shitje, por jepet me qira me një kosto prej 4,900 dollarë në muaj, ose afro 59,000 dollarë në vit. Prodhuesi thotë se kjo mbetet më ekonomike sesa punësimi i një tekniku të posaçëm për goma, megjithëse përllogaritjet nuk janë kaq të drejtpërdrejta. Sipas mesatareve në SHBA, ata që nisin këtë profesion paguhen rreth 17 dollarë në orë, ndërsa punëtorët me më shumë eksperiencë marrin afërsisht 24 dollarë, çka do të thotë se shpenzimi vjetor për paga mund të rezultojë më i ulët se qiraja e vetë pajisjes. Natyrisht, në llogaritë e punëdhënësit përfshihen edhe trajnimi, leja mjekësore, qarkullimi i stafit dhe përfitimet, por mbetet e qartë se ky robot nuk është një zgjidhje e lirë.
