Porsche 911 GT3 RS prej kohësh konsiderohet një makinë prodhimi me karakter të pastër piste, falë krahut të madh të pasmë, aerodinamikës aktive, pezullimit jashtëzakonisht preciz dhe motorit bokser me aspiratë natyrale që sillet si një njësi garash. Megjithatë, për kompaninë britanike Talos, as kjo nuk ishte e mjaftueshme.
Mbi bazën e Porsche 911 GT3 RS aktuale, britanikët kanë krijuar Talos 911 RT, një projekt që nuk synon thjesht t’u ofrojë pronarëve të pasur një pamje tjetër. Sipas vetë kompanisë, bëhet fjalë për një interpretim rrugor të 911 R garues, të ndërtuar mbi GT3 RS, ndërsa prodhimi do të kufizohet në vetëm 20 ekzemplarë. Që këtu kuptohet se nuk synon blerësin tradicional të Porsche, por koleksionistët për të cilët edhe versioni më ekstrem i 911 nga fabrika nuk është mjaftueshëm unik.
Të lidhura
None found
Pjesa ku ndërhyrja bie më shumë në sy është karroceria. Në bashkëpunim me MCT Carbon, Talos ka zhvilluar një trup të gjerë prej karboni që e bën makinën dukshëm më agresive se GT3 RS standarde. MCT Carbon njihet edhe për pjesët e prodhuara për Aston Martin Valkyrie, çka tregon se nuk bëhet fjalë për elemente karboni thjesht dekorative.
Paketa përfshin një ndarës të ri përpara, hyrje të reja ajri, kapakun e motorit me hapje NACA, parakolpë të zgjeruar, arra qendrore të rrotave, një difuzor të madh në pjesën e pasme dhe një krah të pasmë edhe më ekstrem. Njësia e paraqitur në fotografi vjen me fibër karboni të ekspozuar, por klientët mund ta porosisin edhe të lyer në ngjyrën që preferojnë.
Ndryshimet nuk kufizohen vetëm te pamja. Talos deklaron se 911 RT ka peshë 1,350 kg, pra 80 kg më pak se 911 GT3 RS standarde. Kjo shifër konsiderohet e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh se edhe modeli bazë GT3 RS nuk njihet si një makinë me shumë kilogramë të tepërt.
Në pjesën e pasme ruhet motori bokser me gjashtë cilindra, katër litra dhe aspirim natyral, por Talos e çon fuqinë e tij në 540 kuaj fuqi dhe 460 Nm çift rrotullues. Krahasuar me GT3 RS të fabrikës, që zhvillon 525 kuaj fuqi, rritja nuk është e madhe, por te një motor i tillë çdo kuaj fuqi shtesë ka vlerë të veçantë, ndryshe nga një njësi turbo. Më shumë rëndësi se vetë shifrat kanë reagimi, tingulli dhe ndjesia në drejtim, pasi një makinë e këtij lloji nuk matet vetëm me përshpejtimin në letër. Talos ka paralajmëruar edhe një paketë opsionale turbo, por ende nuk dihet sa do të kushtojë dhe çfarë fuqie shtesë do të ofrojë.
Ajo që e veçon më së shumti 911 RT nga makinat e modifikuara zakonshëm është çmimi. Shifra fillestare është 850,000 £, ose afërsisht 976,000 €, por në këtë shumë nuk përfshihet Porsche 911 GT3 RS donatore. Kjo do të thotë se blerësi fillimisht duhet të sigurojë një nga modelet moderne më të shtrenjta të Porsche dhe më pas të paguajë Talos për transformimin, duke e çuar koston totale përtej kufirit prej 1 milion €./Indeksonline/
