Barcelona dhe Roma mund të takohen në gjyq për shkak të një ndeshjeje miqësore.
“Giallorossët” kanë vendosur të riplanifikojnë përgatitjet e tyre verore dhe duhet të heqin dorë nga ndeshja që do të zhvillohej në “Camp Nou”. Një vendim ky i përcaktuar nga klubi katalanas si i papritur dhe i pajustifikuar dhe se mund ta padisë skuadrën italiane.
Përmes një njoftimi për shtyp, Roma njoftoi se kishte tërhequr pjesëmarrjen e saj nga “Gamper Trophy”. Përgjigja e Barcelonës ishte e menjëhershme dhe pas pak minutash, sërish me një deklaratë të transmetuar në kanalin e klubit në “Tëitter”, gjiganti spanjoll tha:
“Departamenti ligjor i klubit po studion veprimet e duhura për t’i kërkuar ekipit italian dëmet që ky vendim i shkakton Barcelonës dhe tifozëve të saj”.
Ndeshja do të zhvillohej më 6 gusht në “Camp Nou”. Vullneti i Romës është të planifikojë përgatitjen e saj me angazhime të tjera me më pak ndikim në drejtim të udhëtimit. Motivim që absolutisht nuk e ka bindur Barçën, e cila në fakt flet për një vendim pa shkak.
Klubi njoftoi se tashmë po punon për të gjetur një rival të ri dhe se në 24 orët e ardhshme do të aktivizohet rimbursimi i biletave tashmë të blera. Gjithashtu saktësohet se pezullimi i këtyre ndeshjeve është për shkak të rrethanave që nuk kanë lidhje me Barcelonën.