Protestat në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po shoqërohen me një sërë mesazhesh, përfshirë thirrje të hapura drejtuar ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës.
Të lidhura
None found
Një nga parullat e shfaqura gjatë protestës ishte: “Deputetë, kush s’e mbështet ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Specialen, përballet me popullin!” Gjithashtu, në platformat sociale po shpërndahet një letër me tone të forta ndaj atyre që e shohin si të drejtë gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, e cila përmbyllet me thirrjen: “Poshtë tradhtarët e popullit!”

Adem Lushaj, drejtues i “Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur”, në një deklaratë për “Bota sot”, theksoi se qytetarët gëzojnë të drejtën demokratike për të protestuar kundër vendimeve gjyqësore dhe për të kërkuar ndryshime në legjislacion.
Ai saktësoi se protestat dhe kundërshtimi i një aktgjykimi janë shprehje e lirive themelore. Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë të manifestojnë pakënaqësinë, të kërkojnë drejtësi dhe rishikim të ligjeve, duke përfshirë edhe modifikimin ose abrogimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, siç u artikulua edhe në protestat e fundit.
Megjithatë, Lushaj nënvizoi rëndësinë e dallimit midis vetë protestës dhe formës së komunikimit të mesazheve. Ai konsideron se frazat si “përballen me popullin” ose cilësimi i deputetëve si “tradhtarë” mund të interpretohen si gjuhë frikësuese dhe përjashtuese.
“Deputetët mund dhe duhet të kritikohen për qëndrimet e tyre, por nuk duhet të kërcënohen apo etiketohen. Po aq e dëmshme është edhe ndarja e qytetarëve në ‘me UÇK-në’ dhe ‘kundër UÇK-së’. Të kesh një mendim tjetër për një vendim gjyqësor nuk do të thotë të jesh kundër Kosovës apo kundër luftës së UÇK-së”, deklaroi ai.

Analisti theksoi se Kosova, në këtë moment delikat, ka nevojë për më shumë qetësi, dialog dhe kohezion qytetar. Ai shtoi se protestat dhe kundërshtitë janë të lejueshme, por pa i shndërruar qytetarët me pikëpamje të ndryshme në “armiq” apo “tradhtarë”.
Sipas tij, duhet treguar kujdes ndaj retorikës së urrejtjes dhe përçarjes, dhe nuk përjashtoi mundësinë që persona të caktuar të jenë të ndikuar ose të instrumentalizuar nga rrethe me interesa të ndryshme. “UÇK-ja dhe sakrifica për lirinë e Kosovës nuk mbrohen duke i ndarë shqiptarët ndërmjet vete, por duke ruajtur dinjitetin, argumentin dhe unitetin e shoqërisë. Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj”, përfundoi ai.
Nga ana tjetër, sociologu dhe profesori universitar, Fadil Maloku, vlerëson se këto protesta mund të kontribuojnë në konsolidimin dhe homogjenizimin shoqëror, duke zbehur përpjekjet e Serbisë për përçarje dhe polarizim.
Megjithatë, ai paralajmëroi se situata mund të gjenerojë tensione rajonale, ndërsa Serbia mund ta shfrytëzojë aktgjykimin e Hagës për të vijuar kontestimin e shtetësisë së Kosovës. Sipas Malokut, duket se Serbia dhe ideatorët e aktgjykimit të ashpër të Hagës, të cilët e kishin parashikuar dhe punuar me zell për gati tri dekada për një polarizim të skajshëm, fragmentim identitar apo edhe një skenar lufte civile, do të zhgënjehen. Ai shpjegoi se megjithëse shoqëria ishte zhytur në një vetëkënaqësi kolektive pas shpalljes së pavarësisë, protestat aktuale ka gjasa ta prolongojnë shpresën e Serbisë për fragmentim.
Ai shtjelloi se këto protesta mund të konvertohen në dy drejtime lineare. I pari, që tashmë po merr formën e një homogjenizimi emocional e kombëtar dhe të një potenciali pozitiv për konsolidim. Dhe i dyti, që mbart rrezikun e një polarizimi dhe tensioni të shfrenuar rajonal, ku Serbia do ta përdorë këtë aktgjykim në të gjitha forumet vendimmarrëse për të kontestuar më tej shtetësinë.
Maloku theksoi se aktgjykimi mund të ketë pasoja përtej sferës juridike, duke ndikuar në identitetin kolektiv dhe duke nxitur një narrativë të re mobilizuese. Sipas tij, protestat në Prishtinë tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë e percepton aktgjykimin jo thjesht si dënim të individëve, por si një ngjarje që cenon thellësisht kujtesën kolektive të luftës, çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës.
Në fund, Maloku vlerësoi se protestat mund të shndërrohen në një lëvizje më të gjerë shoqërore, nëse arrijnë të kapërcejnë interesat partiake dhe grupore. Ai mendon se ato mund të krijojnë një narrativë të re politike, por nëse mbeten të lidhura me interesa të ngushta, rrezikojnë të kthehen vetëm në një ikonografi partiake dhe një folklorizëm të dështuar frustrues. “Protesta, nëse arrin të ‘çlirohet’ nga prangat e kornizave tradicionale partiake, do të arrijë të krijojë kondita të reja ‘negociuese’, si me Serbinë, ashtu edhe me qendrat e reja vendimmarrëse”, përmbylli ai për “Bota sot”.
