Allegri: Kampionati? Objektivi ynë është 4 vendet e para

Juventus është rikthyer tek rezultatet pozitive në kampionat dhe synon të vazhdojë me këtë ritëm dhe në Kupën e Italisë. Bardhezinjtë ndeshen nesër kundër Sasuolos, sfidë e vlefshme për fazën çerekfinale.

Në prag të kësaj sfide ka folur dhe trajneri i bardhezinjve Masimiliano Alegri.

Momenti i ekipit

“Skuadra është mirë. Të gjithë janë të gatshëm përveç Kielinit, i cili është jashtë dhe Bernardeski që do kthehet me ekipin të premten. Bonuçi do kthehet dhe do luajë nesër. Ken është i skualifikuar.

Ndeshja kundër Sasuolos

“Nesër do të luajmë çerekfinalet e Kupës së Italisë, që është ndër objektivat që kishim që nga fillimi i sezonit. Do të luajmë ndaj një Sasuoloje me nerva. Duhet të luajmë një ndeshje shumë serioze pasi do na ndihmojë në përballjen direkte ndaj Atalantës.

Entuziazmi pas merkatos së janarit

“Euforia është rikthyer në ekip pas fitores me Veronën, por nuk duhet ta teprojmë. Objektivi ynë është të arrijmë në katër vendet e para në kampionat dhe të shkojmë sa më larg në kupat. Nëse doni të ëndërroni, është në rregull, por mua nuk më pëlqen aq shumë. Tre ekipet përpara nesh janë shumë larg, pasi Interi është praktikisht 11 pikë larg. Jemi mbrapa.”

Treshja e sulmit Vlahoviç-Dibala-Morata

“Duhet të vlerësoj se kush luan. Ndryshimet duhet të jenë të rëndësishme pasi mund të luajmë 120 minuta. Djemtë janë mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu deri në fund të sezonit.”


Shtuar 9.02.2022 16:58