Për herë të parë nga fillimi i luftës, Putin mund të dalë nga Rusia

Vladimir Putin do të vizitojë dy shtete të vogla ish-sovjetike në Azinë Qendrore këtë javë, në atë që do të ishte udhëtimi i parë i liderit rus jashtë vendit që kur urdhëroi pushtimin e Ukrainës, sipas Reuters.

Lufta ka vrarë mijëra njerëz, ka zhvendosur miliona të tjerë. Perëndimi ka vendosur sanksione të rënda financiare kundër Rusisë, të cilat Putin thotë se janë një arsye për të ndërtuar lidhje më të forta tregtare me fuqi të tjera si Kina, India dhe Irani.

Pavel Zarubin, korrespondenti i televizionit shtetëror Rossiya 1 në Kremlin, tha se Putin do të vizitojë Taxhikistanin dhe Turkmenistanin dhe më pas do të takohet me presidentin indonezian Joko Widodo për bisedime në Moskë.

Në Dushanbe, Putin do të takohet me presidentin e Taxhikistanit, Imomali Rakhmon, një aleat i ngushtë rus dhe sundimtari më jetëgjatë i një shteti ish-sovjetik. Në Ashgabat, ai do të marrë pjesë në një samit të vendeve të Kaspikut, duke përfshirë liderët e Azerbajxhanit, Kazakistanit, Iranit dhe Turkmenistanit.

Udhëtimi i fundit i Putinit jashtë Rusisë ishte një vizitë në Pekin në fillim të shkurtit, ku ai dhe presidenti kinez Xi Jinping nënshkruan një traktat miqësie “pa kufij” disa orë përpara se të dy të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore.


Shtuar 26.06.2022 17:40