Kurti raporton në kuvend për “Ohrin”: Në pikën që jemi, tekst më të mirë të marrëveshjes nuk ka!

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare ku janë shtruar disa pika të rendit të ditës. Megjithatë, interesimi më i madh i deputetëve është për pikën e pestë, e ku është raportimi i kryeministrit Albin Kurti, për marrëveshjen Kosovë-Serbi, të arritur në Ohër.

Raportimi i tij para ligjvënësve do të bëhet lidhur me  takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Kurti: Sinqerisht aleatët tanë duan ta sjellin Serbinë drejt Evropës. A do ta arrijnë një gjë të tillë, unë nuk kam shpresë… marrëveshja bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmban 11 pika. Serbia ka pranuar të trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë, por që Kurti thotë se “nuk do t’i besonte, prapë se prapë.

Për më tepër, Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin tonë në asnjë organizatë ndërkombëtare apo të bllokojë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian… Kjo është njohje de-facto dhe është e pakthyeshme pasi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë palë garantuese. Jam i bindur që tekst më të mirë të marrëveshjes, në situatën në të cilën jemi, nuk ka mundur më parë të mbërrijmë. Me dokumentet e mëhershme kemi ngecur. Me këtë dokument mund të ecim përpara.

Të shtunën e javës së kaluar,  në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është arritur marrëveshje mbi Aneksin e zbatimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve./Albeu.com/


Shtuar 23.03.2023 11:56