Një ulje e qetë në stepat e Kazakistanit shënoi fundin e një qëndrimi të gjatë në hapësirë për një ekip të përbashkët amerikan dhe rus. Kapsula “Soyuz MS-28” zbriti me parashutë të dielën në juglindje të qytetit Dzhezkazgan, duke sjellë në Tokë tre anëtarët e ekuipazhit pas më shumë se tetë muajsh në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Të lidhura
None found
Në bordin e anijes ishin astronauti i NASA-s, Chris Williams, si dhe kozmonautët rusë Sergei Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikaev. Për Williams dhe Mikaev, ky ishte fluturimi i tyre i parë jashtë atmosferës tokësore, teksa Kud-Sverchkov po përfundonte udhëtimin e tij të dytë në orbitë. Të tre së bashku kryen një mision që zgjati 241 ditë.
Menjëherë pas uljes, ekuipazhi do të niset me helikopter drejt qytetit të Karagandës. Prej andej, rrugët e tyre do të ndahen: Williams do të fluturojë për në Qendrën Hapësinore Johnson të NASA-s në Hjuston, ndërsa dy kozmonautët rusë do të rikthehen në qendrën e tyre të stërvitjes në Star City, afër Moskës.
Ky mision i përbashkët vjen në një kohë kur marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë janë të tensionuara. Megjithatë, bashkëpunimi në hapësirë vijon i pandërprerë, me astronautët e të dy kombeve që udhëtojnë rregullisht së bashku drejt ISS-it dhe ndajnë të njëjtat misione eksplorimi shkencor.
