Boris Bratina, ministër i Informimit dhe Telekomunikacionit i Serbisë, mori pjesë në Teheran në ceremoninë e lamtumirës për udhëheqësin suprem të Republikës Islamike të Iranit, ajatollahun Ali Khamenei, si përfaqësues i dërguar i Qeverisë së Serbisë. Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në llogarinë zyrtare të ministrit në Instagram.
Të lidhura
None found
Sipas të njëjtit njoftim, Bratina firmosi në librin e zisë dhe, në emër të Qeverisë së Serbisë dhe të popullit serb, përcolli ngushëllime për popullin e Iranit.
Ndërkohë, faqja zyrtare e Ministrisë iraniane të Teknologjisë, Inovacionit dhe Çështjeve Ndërkombëtare njoftoi se Bratina mbërriti në Teheran më 3 korrik, ku në aeroport u prit nga zëvendësministri Mohammad Hafez Hakami.
Më 4 korrik në Iran filloi ceremonia shumëditore e varrimit të ajatollahut Ali Khamenei, i cili u vra më 28 shkurt, në ditën e parë të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit.
Ky zhvillim ka nxitur reagime politike në Beograd. Partia opozitare e Lirisë dhe Drejtësisë ngriti pyetjen nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e kishte informuar administratën amerikane për dërgimin e një ministri në Teheran.
“Pas kësaj është e qartë se nuk do të ketë asgjë nga koordinimi dhe harmonizimi i politikës së jashtme me Bashkimin Evropian, pavarësisht se kjo është një nga kushtet kyçe për ‘shkrirjen’ e procesit të integrimeve evropiane“, thuhet në reagim.
Vitet e fundit, Beogradi zyrtar ka ruajtur raporte miqësore me Iranin, edhe pse ky vend ka qenë nën sanksione ndërkombëtare për shkak të aktiviteteve bërthamore dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
