Çmimet e konsumit në Gjermani shënuan rritje vjetore prej 2.9% në gusht, sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave. Në korrik, norma e inflacionit ishte 2.8%.
Të lidhura
None found
Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin çmimet e ushqimeve dhe energjisë, u ngjit gjithashtu në 2,4 për qind. Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë zhvillim janë kostot e energjisë, ndërsa tensionet dhe ndërprerjet në linjat ndërkombëtare të transportit kanë shtrenjtuar naftën dhe kanë prekur drejtpërdrejt konsumatorët gjermanë.
Ekspertët vlerësojnë se inflacioni mund të mbetet për një periudhë mbi objektivin prej 2 për qind të Bankës Qendrore Evropiane, edhe në rast se transporti i naftës përmes Ngushticës së Hormuzit rikthehet në normalitet dhe çmimet e energjisë ulen.
Jörg Krämer, ekonomisti kryesor i Commerzbank, e lidh këtë pritshmëri me faktin se një numër gjithnjë e më i madh kompanish po detyrohen t’ua përcjellin klientëve kostot më të larta të energjisë të përballuara gjatë periudhës së fundit. Ky presion vërehet qartë në pikat e karburantit.
Të dhënat e ADAC tregojnë se një litër benzinë Super E10 shitet mesatarisht për 2,153 euro, rreth pesë cent më pak se rekordi i vendosur në mars të vitit 2022. Për një litër naftë, çmimi mesatar është 2,202 euro.
Niveli më i lartë i çmimit u regjistrua në prill të këtij viti, kur një litër kushtonte 2,446 euro. Ndikim në shtrenjtimin e karburanteve ka edhe niveli tepër i ulët i ujit në lumin Rin, i cili po vështirëson transportin lumor dhe furnizimin e rafinerive, veçanërisht në landin Nordrhein-Westfalen.
Si një prej korridoreve kryesore të transportit të brendshëm në Evropë, Rini po përballet me kufizime në lundrim. Këto pengesa rrisin shpenzimet e furnizimit dhe shtojnë presionin mbi çmimet.
