Hamza: Kushtetuta nuk mund t’i nënshtrohet vullnetit politik

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Gjatë bisedës u trajtuan zhvillimet politike, kriza institucionale dhe sfidat që po përballet Kosova.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të PDK-së, palët diskutuan për rëndësinë e konstituimit sa më të shpejtë të Kuvendit, zbatimin e rendit kushtetues dhe sundimin e ligjit. Në takim u fol gjithashtu për zhvillimin ekonomik dhe përparimin e Kosovës drejt proceseve integruese.

Hamza deklaroi se funksionimi i institucioneve dhe respektimi i Kushtetutës nuk mund të varen nga vullneti politik i një partie apo individi. Sipas tij, këto përbëjnë detyrime institucionale dhe bazën e demokracisë.

Kreu i PDK-së i shprehu ambasadorit gjerman shqetësimin për precedentin e krijuar nga refuzimi i partisë që ka marrë më shumë vota në zgjedhje për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kryetari Hamza rikonfirmoi vendosmërinë e PDK-së për të përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve të Republikës dhe interesit të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Hamza nënvizoi se Partia Demokratike e Kosovës do të vijojë angazhimin për një shtet demokratik, funksional dhe me zhvillim ekonomik, të integruar në strukturat euroatlantike dhe me marrëdhënie të ngushta me aleatët strategjikë.


Shtuar më 1.09.2026 13:32