Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se forcat e Ukrainës kryen sulmin me dronë detarë ndaj një anijeje ushtarake ruse në portin ushtarak të Bengazit, në pjesën lindore të Libisë.
Sipas tij, objektivi kryesor ishte korveta ruse “Merkury”, e cila u fundos, ndërsa gjatë operacionit u goditën edhe mjete të tjera.
Të lidhura
None found
Përmes një reagimi të publikuar sot në X, Zelensky tha se sulmi u realizua me shtatë dronë detarë të prodhuar në Ukrainë.
“Merkury” konsiderohet një nga anijet më të reja të flotës ruse. Korveta kishte hyrë në shërbim në vitin 2023, në periudhën e luftës në Ukrainë.
“Ne vazhdojmë operacionet tona në ujërat e përcaktuara. Po i përgjigjemi agresionit rus dhe po zhvillojmë armët ukrainase”, u shpreh Zelensky.
Gjatë sulmit u dëmtua edhe anija ruse e transportit të mallrave MV Angara. Presidenti ukrainas pretendoi se kjo anije përdorej nga Moska për dërgimin e armëve. Në të njëjtin operacion, sipas tij, u shkatërrua edhe një helikopter ushtarak Ka-27.
Zelensky shprehu mirënjohje për Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe strukturat e tjera të mbrojtjes që morën pjesë në operacion, të cilin e përshkroi si shembullor në kundërpërgjigjen ndaj luftës së Rusisë.
“Objektivat që kishim përcaktuar u arritën”, deklaroi ai.
Associated Press raportoi se shpërthime të fuqishme u dëgjuan herët të dielën në bazën detare të Bengazit. Banorët e zonës thanë se panë flakë dhe tym që ngriheshin nga hapësira ushtarake.
Dy zyrtarë ushtarakë libianë i thanë AP se korveta “Merkury” ishte sulmuar nga dronët detarë ukrainas. Sipas verifikimeve paraprake të autoriteteve libiane, gjashtë dronë iu drejtuan anijes; katër u ndërceptuan, ndërsa dy goditën objektivin.
Korveta ruse ndodhej në port për furnizim me karburant dhe pajisje, në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi me qeverinë që kontrollon Libinë lindore.
Pas incidentit, autoritetet libiane bënë të ditur se do të zhvillonin një hetim të përbashkët me Rusinë për të përcaktuar rrethanat, burimin dhe autorët e sulmit.








