Në përpjekje për t’u dhënë shtysë negociatave mbi një armëpushim në Gaza, Jared Kushner po zhvillon një varg takimesh të nivelit të lartë në Lindjen e Mesme. Ai është dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump dhe ka shërbyer më parë si këshilltar i tij për rajonin.
Të lidhura
None found
Gjatë fundjavës, Kushner zhvilloi në Egjipt një takim me Khalil al-Hayya, një nga figurat kryesore të Hamasit. Bisedimet u mbajtën ndërsa nismat diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Gaza ndodhen në një etapë të vështirë.
Gjatë qëndrimit në Egjipt, ai u prit edhe nga presidenti Abdel Fattah el-Sisi. Zyra e kreut të shtetit egjiptian bëri të ditur se diskutimet u përqendruan te përmbushja e detyrimeve të palëve për ndalimin e luftës në Gaza.
Ndalesa e radhës e Kushnerit pritet të jetë Izraeli, ku në agjendë ka një takim me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Në këto takime, Kushner shoqërohet nga Nickolay Mladenov, i cili drejton Bordin e Paqes. Ky organ, i mbështetur nga SHBA-ja, synon të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë për Gazën.
Misioni zhvillohet pasi presidenti Trump paraqiti për Gazën një plan të ri paqeje me 15 pika. Propozimi përfshin ndërprerjen e luftimeve, çarmatimin e Hamasit dhe largimin gradual të forcave izraelite.
Megjithatë, Benjamin Netanyahu e ka kundërshtuar publikisht këtë plan. Kryeministri izraelit ka këmbëngulur se ushtria e Izraelit nuk do të largohet nga Gaza pa u çarmatosur plotësisht Hamasi.
Nga ana e tij, Hamasi ka deklaruar se është i gatshëm për një plan çarmatimi, por kërkon që fillimisht Izraeli të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e mëparshme e armëpushimit.
Për Kushnerin, angazhimi në diplomacinë e Lindjes së Mesme nuk është i ri. Në mandatin e parë të Trump, ai ishte ndër figurat kryesore të përfshira në hartimin e politikës amerikane për rajonin. Gjithashtu, pati rol të rëndësishëm në Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat mundësuan normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me disa shtete arabe.
Pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021, Kushner krijoi kompaninë e investimeve Affinity Partners. Firma përfitoi 2 miliardë dollarë nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite, ndërsa investime në të kanë bërë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
Këto raporte financiare kanë nxitur më herët pikëpyetje mbi një konflikt të mundshëm interesi. Kushner i ka hedhur poshtë akuzat, duke argumentuar se lidhjet e krijuara prej tij në rajon përfaqësojnë përvojë dhe kontakte me vlerë për diplomacinë.
Tashmë, Kushner është vendosur sërish në qendër të përpjekjeve të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Përmes bisedimeve me Hamasin, presidentin egjiptian dhe kryeministrin izraelit, synohet të rikthehet në tryezë një marrëveshje armëpushimi, e cila aktualisht është e bllokuar.
Megjithatë, arritja e një armëpushimi të ri në Gaza vazhdon të jetë e vështirë: Netanyahu kundërshton tërheqjen e ushtrisë izraelite, ndërsa Hamasi kërkon garanci se marrëveshjet do të zbatohen.
