Një incident mes dy avionëve të American Airlines u regjistrua të premten pasdite në aeroportin kombëtar Ronald Reagan, pranë Uashingtonit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mjetet fluturuese u përplasën teksa po lëviznin në pistë dhe po përgatiteshin për nisje.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se avioni i fluturimit 638, i planifikuar për në Dallas, preku krahun e avionit të fluturimit 2152, destinacioni i të cilit ishte Çikago. Përplasja ndodhi rreth orës 17:10, sipas kohës lokale.
Të lidhura
None found
Si pasojë e kontaktit, nga krahu i njërit prej avionëve u shkëput winglet-i, pjesa e ngritur që ndodhet në skajin e jashtëm të krahut. Copat ranë në pistë dhe pilotët njoftuan kontrollorët e trafikut ajror për situatën.
Në komunikimet me kullën e kontrollit dëgjohet njëri prej pilotëve duke raportuar për përplasjen. Sipas tij, avioni kishte kaluar pak vijën e ndalimit dhe kishte prekur mjetin që ndodhej pranë tij.
Prania e mbetjeve në pistë solli masa të menjëhershme nga kontrollorët, të cilët i kërkuan një avioni që po afrohej të ndërpriste uljen. Ndërkohë, fluturime të tjera u njoftuan se mund të përballeshin me vonesa.
Në incident nuk pati të lënduar. Të dy avionët u rikthyen në portat e aeroportit, ku u verifikuan nga ekipet e emergjencës dhe u nxorën përkohësisht nga shërbimi për t’iu nënshtruar inspektimit teknik.
American Airlines u kërkoi ndjesë pasagjerëve për shqetësimin dhe deklaroi se po punonte për të siguruar vijimin e udhëtimeve të tyre. FAA njoftoi se do të hetojë ngjarjen për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.





