Mediat franceze raportuan sot se autoritetet e Francës shpëtuan të enjten 157 persona, të cilët po tentonin të kalonin me varka të vogla Kanalin Anglez dhe Detin e Veriut për të mbërritur në Britaninë e Madhe.
Në agim, shërbimet portuale morën njoftim për praninë e një grupi të madh njerëzish të grumbulluar në një plazh pranë Visan, në veri të bregdetit francez.
Të lidhura
None found
Sipas autoritetit detar Premar, tre persona u nxorën nga ekipet e shpëtimit pasi kishin zbritur vetë në Calais, rreth 20 kilometra nga pika e nisjes.
Një përpjekje tjetër për kalim u regjistrua nga plazhi i Portel, më në jug, ku u desh ndërhyrja e një numri të madh forcash sigurie. Tetë persona në vështirësi u shpëtuan nga zjarrfikësit teksa ndodheshin ende në breg.
Më pas, edhe 70 persona të tjerë që ishin në të njëjtën varkë u shpëtuan dhe u rikthyen në Calais.
Në të njëjtën kohë, në zonën Ecou pranë Boulogne-sur-Mer u identifikua një tjetër varkë. Pas ndërhyrjes së autoriteteve portuale, u shpëtuan 67 pasagjerët që ndodheshin në bord, ndërsa nga dy varka të tjera më të vogla u nxorën në tokë edhe nëntë emigrantë të tjerë.
Pas disa muajsh bisedimesh, Franca dhe Britania e Madhe arritën në prill një marrëveshje të re me afat trevjeçar për të kufizuar kalimet e paligjshme në Kanalin Anglez. Kjo marrëveshje parashikon një rritje graduale të kontributit financiar nga Londra për forcimin e masave të sigurisë.
Sipas një llogaritjeje të AFP-së, të mbështetur në të dhënat zyrtare franceze dhe britanike, gjatë vitit 2025 të paktën 29 emigrantë kanë humbur jetën në përpjekje për të kaluar Kanalin Anglez. Ndërkaq, që prej fillimit të këtij viti janë regjistruar të paktën tetë viktima.
