Bërnabiq: Serbia synon të kërkojë kthimin e trupave në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë.

Gjatë një deklarimi për media nga aeroporti “Nikolla Telsa” në Beograd, Bërnabiq tha se veprimet e homologut të saj kosovar, Albin Kurti, “na sollën në prag të konfliktit të armatosur”.

“Në këto rrethana, Serbia ka të drejtën dhe synimin, sipas rezolutës 1244, të kthejë një numër të caktuar trupash në Kosovë”, theksoi Bërnabiq.

Bërnabiq u bëri thirrje shteteve në botë që të respektojnë këtë të drejtë, që sipas saj buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ajo tha se gjatë ditës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të japë më shumë informacione lidhur me atë se si do të kërkohet kthimin e trupave në Kosovë, në bazë të kësaj rezolute.

Paralajmërim të ngjashëm bëri një ditë më parë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, që tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Shefja e Qeverisë serbe tha se Kurti aktualisht po shkakton “rrezik jo vetëm për serbët, por edhe për shqiptarët dhe mbarë Evropën”.

Ajo po ashtu u shpreh kritike ndaj Bashkimit Evropian, që tha se po reagon vetëm “kur situata është realisht dramatike”, duke shtuar se as misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e as ai i BE-së, EULEX “nuk po bëjnë punën e tyre, as në bazë të Marrëveshjes së Brukselit dhe as sipas Marrëveshjes së Kumanovës”.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur ditëve të fundit dhe që nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente me armë zjarri dhe granata dore.

Më 6 dhjetor u sulmuan zyrat komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, pasi zyrtarët zgjedhorë në Kosovë po bëjnë përgatitjet për zgjedhjet lokale të caktuara për 18 dhjetor. Incidente pati edhe në ditët pasuese, përfshirë më 8 dhjetor, kur gjatë patrullimit në Zveçan, Policia e Kosovës tha se u sulmua “me armë të gjata” dhe u plagos një zyrtar policor.

Zgjedhjet në veri – Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – u shpallën pasi kryetarët e këtyre komunave, së bashku me zyrtarë të tjerë serbë, dhanë dorëheqje në nëntor. Ata u larguan nga institucionet për shenjë kundërshtimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Pas incidenteve, autoritetet në Kosovë nga 8 dhjetori nisën të rrisin prezencën policore në këtë pjesë, për shkak të siç thanë, të ofrojnë siguri për qytetarët e kësaj pjese.

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë akuzuar “bandat kriminale” të “financuara dhe dirigjuara” nga Serbia për incidentet në veri, ndërkaq Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se “bartës i rezistencës” në veri është nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq.

Radoiçiq është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për krim të organizuar dhe korrupsion. Ai po ashtu kërkohet nga Kosova për “frikësimin e dëshmitarëve” në rastin “Brezovica”./REL


Shtuar 9.12.2022 16:45