Forcat amerikane goditën tre anije iraniane që transportonin naftë bruto, njoftoi të shtunën ushtria amerikane. Sulmi erdhi pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi raketa balistike ndaj dy anijeve luftarake të Marinës amerikane.
Teherani ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare për ngjarjen. Megjithatë, mediat shtetërore iraniane raportuan më herët se një tanker ishte sulmuar nga SHBA pranë ishullit Kharg, një nga pikat kryesore të eksportit të naftës së Iranit.
Të lidhura
None found
Incidenti i fundit mund të sjellë një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit detar në Gjirin Persik dhe në zonat përreth. Irani po tenton të ndalojë anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit pa autorizimin e tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë shtuar sulmet ndaj mjeteve detare iraniane.
Gjatë fillimit të kësaj jave, SHBA-ja dhe Irani shkëmbyen sulme për herë të parë pas më shumë se një muaji. Veprimet e reja ushtarake kanë shtuar shqetësimet se palët mund të hyjnë në një tjetër cikël hakmarrjesh.
Sipas Komandës Qendrore amerikane (CENTCOM), një aeroplanmbajtëse dhe një destrojer amerikan i pajisur me raketa të drejtuara arritën t’u shmangeshin disa sulmeve të ndërmarra nga Irani.
Pas këtyre sulmeve, ushtria amerikane deklaroi se kishte “çaktivizuar përgjithmonë” dy tankerë iranianë me naftë bruto. Bëhet fjalë për M/T Downy, i goditur pranë ishullit Kharg, dhe M/T Stark 1, që ndodhej në afërsi të qytetit Jask.
Një tjetër tanker iranian, M/T Kylo, u sulmua jashtë Gjirit Persik. Anija ishte bosh dhe, pasi u godit disa herë nga forcat amerikane, u “shkatërrua plotësisht” me synimin për ta nxjerrë jashtë funksionit.
Komandanti i CENTCOM-it, admirali Brad Cooper, tha se mesazhi drejtuar Gardës Revolucionare iraniane ishte i prerë: çdo sulm ndaj anijeve amerikane do t’i shkaktojë Iranit një kosto edhe më të madhe.
Agjencitë iraniane të lajmeve njoftuan më herët gjatë së shtunës se një tanker ishte goditur me raketa amerikane pranë Khargut. Agjencia Tasnim raportoi se anija u qëllua nga katër predha, por sulmi nuk shkaktoi viktima.
Një regjistrim audio i verifikuar nga CNN dëshmon se, përpara goditjes, një avion ushtarak amerikan komunikoi me ekuipazhin e tanker-it përmes një kanali emergjence. Ekuipazhit iu kërkua të largohej nga pjesa e pasme e anijes.
Përplasja mes Iranit dhe SHBA-së vijon të mbetet e brishtë dhe e paparashikueshme, ndërsa të dyja palët synojnë të ushtrojnë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për furnizimin botëror me naftë.
Ishulli Kharg, në brigjet iraniane, ka trajtuar zakonisht rreth 90% të eksporteve të naftës bruto të Iranit. Gjatë konfliktit, ai është sulmuar disa herë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar më parë se mund të marrë nën kontroll ishullin.
Të dhënat e lëvizjeve detare dhe pamjet satelitore tregojnë se rreth 20 tankerë iranianë janë ankoruar pranë Khargut. Për shkak të bllokadës detare amerikane, ata nuk kanë mundur të largohen nga Gjiri dhe shumë prej tyre janë të mbushur plotësisht me naftë.
Sipas shërbimeve që monitorojnë lëvizjet e anijeve, më shumë se 50 tankerë iranianë ndodhen në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit.
Të enjten, nënpresidenti amerikan JD Vance deklaroi se konflikti nuk duhet të përkufizohet si një “luftë”. Ai tha se, pavarësisht përshkallëzimit të fundit, nuk kishte pasur “shkëmbim aktiv zjarri”.
Vance nuk përcaktoi një afat për mbylljen e konfliktit dhe la të kuptohej se vendimi për përfundimin e përplasjes i takon Iranit. Sipas tij, konflikti kishte nisur gjashtë muaj më parë me sulme ajrore të përbashkëta amerikano-izraelite.
