Protestat në Francë, Macron premton 4 miliardë euro shtesë për arsimin

Pas protestave që prej javësh kanë përfshirë Francën, vendi po harton plane për investime në arsim.

Qeveria franceze synon që, deri në vitin 2030, të vërë në dispozicion katër miliardë euro në formën e huave me kushte lehtësuese për rinovimin e shkollave, si edhe një miliard euro për universitetet. Ekspertët, megjithatë, thonë se shteti nuk i zotëron realisht këto para.

Të lidhura

None found

Borxhi i Francës është rreth 120 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), gati dyfishi i nivelit prej rreth 65 për qind në Gjermani. Kostot e huamarrjes e rëndojnë më tej gjendjen.

Franca paguan interesa dukshëm më të larta se Gjermania për shkak të vlerësimit më të ulët të kreditit dhe pasigurisë politike.

Te obligacionet dhjetëvjeçare, hendeku i interesave është rreth 1,6 pikë përqindjeje. Ekonomistët vlerësojnë se zgjerimi i tij tregon shqetësimin e tregjeve për financat franceze dhe mund ta bëjë huamarrjen më të kushtueshme për shtetin, bizneset dhe qytetarët.

Financat publike rëndohen edhe nga deficiti i pandërprerë buxhetor. Që prej vitit 1974, Franca nuk ka pasur një buxhet të balancuar: shpenzimet e saj kanë qenë rregullisht më të larta se të ardhurat nga taksat.

Për vitin 2027, qeveria e kryeministrit Sébastien Lecornu synon kursime prej 54 miliardë eurosh, me qëllim uljen e deficitit buxhetor nga 5,4 në 5 për qind të PBB-së. Mungesa e një shumice parlamentare, megjithatë, e bën të vështirë miratimin e planit.

Në të njëjtën kohë, partitë kryesore politike vijojnë të bëjnë premtime që kërkojnë shpenzime të mëdha, çka e ndërlikon konsolidimin e financave publike. Ekspertët paralajmërojnë se Franca nuk mund ta shtyjë pafund përballjen me borxhin.


Shtuar më 4.11.2026 14:54