Letra e vitit 2022 zbulon pakënaqësinë e Brigitte Bardot ndaj bashkëshortit: “Më ke shkatërruar për 30 vjet

Një letër private e Brigitte Bardot, e shkruar më 2022, hedh dritë mbi pakënaqësinë e thellë të aktores franceze ndaj bashkëshortit, Bernard d’Ormale.

“Për 30 vjet, më ke shkatërruar me durim, ditë pas dite”, i shkruante Bardot, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e dashurisë dhe mbështetjes në martesën e tyre.

Të lidhura

None found

Dokumenti, i botuar nga gazeta Le Figaro, përshkruan një marrëdhënie të shoqëruar nga pakënaqësia. Në letër, aktorja shkruante se kishte nevojë për një partner që t’i jepte butësi e përkrahje dhe të ndante me të si gëzimet, ashtu edhe dhimbjet.

Sipas The Times, Bardot i shkruante: “Sot kam arritur limitin absolut të vuajtjes sime. Të dhashë gjithçka. Dashurinë time, nevojën time të brendshme për një shok që do të më kthente dashurinë, do të ndante gëzimin tim, dhimbjen time të madhe, që do të më shoqëronte në rrugën time të fundit në jetë, që do të ishte i lumtur me mua, duke pirë një kafe ose një gotë verë të kuqe, me miqtë, që do të më çonte për një udhëtim me makinë për të më larguar mendjen nga gjërat, që do të buzëqeshte për jetën që i ofroj. Duke buzëqeshur!”

Megjithatë, çifti jetoi bashkë deri në vdekjen e aktores. D’Ormale kishte treguar se, kur Bardot ishte e shtruar në spital, ai flinte në një dyshek në dhomën e saj.

Bardot vdiq në dhjetor të vitit të kaluar, në moshën 91-vjeçare. Ajo nuk i la asgjë në testament bashkëshortit, me të cilin ishte martuar prej 33 vitesh. Pas vdekjes së saj, d’Ormale u largua nga vila La Madrague në Saint-Tropez.

Avokatja e tij, Aurélie-Caroline Vieugué, reagoi ndaj publikimit duke ngritur dyshime për vërtetësinë e letrës.

“Klienti im është i shkatërruar nga kjo letër. Është jashtëzakonisht e dhunshme”, deklaroi ajo dhe shtoi se d’Ormale nuk kishte ditur më parë për ekzistencën e dokumentit.

Vieugué vuri në dukje se Bardot zakonisht i firmoste letrat duke vizatuar një margaritë, ndërsa kjo shenjë nuk gjendet në dokumentin e publikuar. Ajo, megjithatë, nuk tha se letra ishte e falsifikuar.

Trashëgimia ka shtuar tensionet mes palëve. Fondacioni i aktores thotë se testamenti parashikonte largimin e d’Ormale nga La Madrague. Pjesën më të madhe të pasurisë Bardot ia la fondacionit të saj për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa pjesën tjetër djalit, Nicolas-Jacques Charrier.

D’Ormale e ka quajtur të padrejtë largimin nga banesa. “Kam jetuar atje për 35 vjet dhe më kanë dëbuar”, është shprehur ai.

Fondacioni pretendon se prona është në pronësi të organizatës që nga viti 1992. D’Ormale, i cili drejtoi fondacionin për më pak se një vit, u largua nga detyra në shtator.

Letra, testamenti dhe mosmarrëveshja për vilën ku Bardot jetoi për dekada e kanë rikthyer në vëmendje historinë e ikonës së kinemasë franceze.


Shtuar më 4.11.2026 20:00