Greqia po përballet me një shtim të shpejtë të rasteve me Ethet e Nilit Perëndimor. Sipas të dhënave të Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik, gjatë javës së fundit janë konfirmuar 75 raste të reja, duke e çuar totalin në 232 persona të infektuar.
Të lidhura
None found
Bilanci i viktimave ka arritur në 19 persona, të gjithë të moshës 65 vjeç e lart. Nga pacientët e diagnostikuar, 165 kanë shfaqur komplikacione në sistemin nervor qendror, përfshirë encefalitin, meningitin dhe paralizat akute. Ndërkohë, 67 persona kanë pasur simptoma të lehta.
Edhe Italia raporton një numër të lartë të rasteve, me 432 të infektuar nga Ethet e Nilit Perëndimor dhe 17 humbje jete. Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 51 persona të prekur dhe 6 viktima.
Këto shifra përfaqësojnë të dhënat më të fundit të publikuara nga autoritetet shëndetësore kombëtare të vendeve përkatëse, të cilat i raportojnë çdo javë ECDC-së, Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Në këtë proces raporton edhe Shqipëria, si vend që aderon për në BE.
Në Shqipëri, deri tani është konfirmuar dhe raportuar vetëm një rast. Bëhet fjalë për një 72-vjeçar nga Korça, i cili vijon të marrë trajtim në Spitalin Rajonal të këtij qarku.
Ethet e Nilit Perëndimor nuk prekin vetëm njerëzit. Në Greqi janë evidentuar shenja të qarkullimit të virusit edhe te kuajt dhe kafshë të tjera njëthundrake.
Megjithatë, pasojat te kafshët nuk janë të njëjta me ato te njerëzit. Në shumë raste infeksioni kalon pa simptoma, ndërsa rreth 20% e personave të infektuar zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, të cilat mund të çojnë deri në humbje jete.
