Hajrullah Çeku, ministër në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, njoftoi se bisedimet me shtëpitë botuese për çmimet e teksteve shkollore kanë hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa shuma e subvencionimit pritet të vendoset brenda ditës.
Të lidhura
None found
Ai shprehu bindjen se procesi do të mbyllet gjatë ditës, për t’i hapur menjëherë rrugë ekzekutimit të pagesave. Sipas Çekut, kështu prindërit do të kenë kohë të mjaftueshme gjatë ditëve të mbetura deri në fillimin e mësimit të martën për të blerë tekstet dhe materialet shkollore.
Çeku deklaroi se librat ishin nxjerrë në treg ndërkohë që negociatat me botuesit vazhdonin ende, veprim të cilin e cilësoi shkelje.
Sipas tij, tekstet nuk duhej të dilnin në shitje pa përfunduar bisedimet, pa u përcaktuar çmimet dhe pa u vendosur vlera e subvencionit.
Për këtë rast, Ministria do t’u drejtohet institucioneve përgjegjëse. Çeku tha se prindërit e prekur duhet të kompensohen nga ata që e kanë kryer shkeljen.
Ministri në detyrë theksoi se vëmendja kryesore tani është te përmbyllja e negociatave, caktimi i shumës së subvencionimit dhe transferimi sa më i shpejtë i mjeteve.
Ai sqaroi se pagesat duhet të realizohen pa vonesa, në mënyrë që prindërit, gjatë katër-pesë ditëve të mbetura deri në nisjen e vitit shkollor, të mund t’i blejnë tekstet dhe materialet së bashku me fëmijët e tyre.
Çeku bëri të ditur gjithashtu se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor janë zhvilluar në këtë drejtim.
Ai tha se gjatë ditës kishin marrë pjesë edhe në diskutimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku policia kishte konfirmuar përgatitjen e planit operativ që hartohet çdo vit. Sipas tij, synimi është që viti shkollor të fillojë mbarë, me siguri, tekste, materiale shkollore dhe të gjitha përgatitjet e nevojshme.
