Një fanellë e rrallë e Michael Jordanit, e veshur në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të karrierës së tij, do të dalë në ankand me një vlerësim që mund ta ngjisë në majë të tregut të memorabilieve të basketbollit.
Të lidhura
None found
Fanella e bardhë me numrin 23 është përdorur nga Jordan në ndeshjen e tretë të finaleve të NBA-së në vitin 1998, ku Chicago Bulls u përballën me Utah Jazz. Ishte sezoni i fundit i tij me skuadrën e Çikagos, periudhë e njohur si “Last Dance” dhe e dokumentuar vite më pas në prodhimin e famshëm të ESPN dhe Netflix.
Fitorja bindëse ndaj Jazz i dha Bulls avantazhin në serinë finale. Vetëm pak ditë më vonë, Jordan e udhëhoqi ekipin drejt titullit të gjashtë të NBA-së në harkun e tetë sezoneve, duke e përmbyllur në mënyrën më të mirë aventurën e tij me Chicago Bulls.
Joopiter, platforma përgjegjëse për ankandin online, thotë se kjo është e vetmja fanellë e bardhë e njohur e Jordanit, e veshur në një fitore të finaleve të NBA-së në vitin 1998, që është ofruar ndonjëherë për shitje.
Ekspertët e kanë vlerësuar fanellën nga 10 deri në 15 milionë dollarë. Nëse shitet brenda këtij parashikimi, ajo mund të vendosë rekordin e ri për fanellën më të shtrenjtë të basketbollit të nxjerrë në ankand.
Ankandi mban emrin “Pushed to Greatness” dhe do të zhvillohet online nga 15 shtatori deri më 29 shtator, raportoi CNN.
Shifra rekord për një fanellë basketbolli i përket aktualisht po Michael Jordanit. Në vitin 2022, fanella e kuqe e veshur prej tij në ndeshjen e parë të finaleve të vitit 1998 kundër Utah Jazz u shit për 10.1 milionë dollarë, duke tejkaluar më shumë se dyfish parashikimin fillestar.
Një tjetër fanellë e Jordanit, e përdorur gjatë sezonit të tij të dytë në Universitetin e Karolinës së Veriut, u shit për 1.38 milionë dollarë në vitin 2021 dhe në atë kohë vendosi një rekord.
Pavarësisht çmimeve të jashtëzakonshme që kanë arritur sendet e lidhura me Jordanin, rekordi i përgjithshëm për një fanellë sportive mbahet ende nga ikona e bejsbollit Babe Ruth.
Fanella “Called Shot”, e veshur nga Ruth në ndeshjen e tretë të Serisë Botërore të vitit 1932, u shit në vitin 2024 për 24.12 milionë dollarë.
Edhe më shumë se dy dekada pas tërheqjes nga basketbolli, Jordan mbetet një prej figurave më të kërkuara në tregun e koleksioneve sportive.
Gjatë vitit 2026, përdoruesit e eBay kanë shpenzuar mbi 88 milionë dollarë për kartat tregtare të Jordanit. Kjo shumë e rendit atë përpara çdo lojtari tjetër aktual ose ish-lojtari të NBA-së, ndërsa në klasifikimin e përgjithshëm ai ndodhet vetëm pas Shohei Ohtanit, yllit të Los Angeles Dodgers.
