Serbia ka kaluar në gjendje gatishmërie të lartë pas një sulmi me thikë ndaj policit që ruante ambasadën izraelite në Beograd, pak pas mesnatës.
Sulmuesi mbeti i vrarë nga të shtënat e oficerit, ndërsa autoritetet po e hetojnë ngjarjen si sulm terrorist.
Të lidhura
None found
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, bëri të ditur se autori ishte i mitur dhe se identiteti i tij ende nuk është përcaktuar. Ai mbante dy thika dhe sulmoi një pjesëtar të Xhandarmërisë Serbe, duke thirrur “Allahu Ekber”.
Oficeri përdori armën e shërbimit dhe e qëlloi sulmuesin, i cili vdiq në vendngjarje. Daçiç tha se polici veproi në vetëmbrojtje dhe pësoi lëndime të lehta.
Pas sulmit, autoritetet serbe e ngritën kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë të mundshëm dhe shtuan masat policore në pika kyçe anembanë vendit.
Sipas ministrit, i mituri ishte nën vëzhgimin e shërbimeve serbe të sigurisë, pasi autoritetet e konsideronin përkrahës të organizatës terroriste Shteti Islamik.
Daçiç tha se i mituri kishte publikuar në llogarinë e tij në Instagram flamurin e zi të Shtetit Islamik, duke shfaqur mbështetjen për organizatën.
Ministria e Jashtme nuk ka bërë ende ndonjë koment për ngjarjen.
Një sulm i tillë ndaj një polici në shërbim pranë ambasadës izraelite në Beograd nuk ndodh për herë të parë.
Në qershor të vitit 2024, një burrë e plagosi me hark një polic serb që ruante ambasadën.
Edhe atëherë, roja qëlloi sulmuesin, i cili humbi jetën.







