“Keqardhje për gjuhën dhe sjelljen”, Margariti reagon pasi ju mbylli derën e Ministrisë Aleancës për Teatrin

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur keqardhje për sjelljen ‘e përfaqësuesve të një grupi” siç e quan ajo, të cilët u paraqitën ditën e sotme te godina e Ministrisë së Kulturës, për të depozituar një kërkesë.

Ministrja thotë se dera e Ministrisë është e hapur për këdo që di të trokasë, por duke respektuar institucionet. Sa për Teatrin Kombëtar, Ministrja thotë se tashmë ka një vendim të Kushtetueses, i cili duhet të zbatohet nga të gjitha institucionet.

Reagimi i Margaritit:

Keqardhje për gjuhën dhe sjelljen e përfaqësuesve të një grupi, që u paraqit sot te dera e Ministrisë pa asnjë kërkesë për takim.

Në Ministrinë e Kulturës priten e përcillen me respekt të gjithë ata që dinë të trokasin, duke respektuar institucionin, qoftë kur kanë ide e projekte për të diskutuar, qoftë kur kanë ankesa apo kritika për të adresuar.

Nuk ndodh që t’i mbyllet dera askujt, sepse respekti i ndërsjellë është zanafilla e detyrës institucionale dhe qytetare.

Sa për Teatrin Kombëtar, tanimë ka një vendim shumë të qartë të Gjykatës Kushtetuese, dhe ai vendim është vetëm për t’u zbatuar nga institucionet dhe per t’u respektuar nga të gjithë. Pa përjashtim!

Anëtarët e Aleancës për Teatrin Kombëtar kanë mbërritur gjatë ditës së sotme në ambientet e ministrisë së Kulturës, ku janë ndaluar që të hyjnë në oborrin e godinës, ndërsa donin që të dorëzonin një kërkesë për informacion.

Përfaqësuesit thanë se kjo është e paprecedentë, ndërsa rojet u mbyllën derën, edhe pse ata do të hynin brenda duke respektuar rregullat me vetëm dy përfaqësues.

Adriana Kalaja tha se për këtë çështje do të ketë një kallëzim në prokurorinë e Tiranës, ndërkohë që në bluzat e tyre shkruhet: Teatri ku ishte dhe ashtu siç ishte.

Kjo lëvizje e Aleancës vjen pas vendimit të Gjykatës Kushetuese, për ti kthyer ministrisë së Kulturës pronësinë e truallit ku ishte i vendosur Teatri Kombëtar.